Lajme

KQZ ka një njoftim të rëndësishëm për rivotimin në Dragash

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar se ka nisur periudha e përsëritjes së votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve, për kryetar të Komunës së Dragashit.

KQZ ka bërë të ditur se fletëvotimet duhet të pranohen më së largu deri më 13 dhjetor, shkruan Shqip.com.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton të gjithë votuesit e regjistruar nga jashtë Kosovës për Zgjedhjet në Komunën e Dragashit se ka filluar periudha e përsëritjes së votimit për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit. Fletëvotimet duhet të pranohen më së largu nga KQZ-ja deri më 13 dhjetor 2021”, thuhet në njoftim.

Të drejtë për të votuar përmes postës për zgjedhjet në Dragash kanë vetëm ata votues të regjistruar nga periudha 10 korrik deri më 18 gusht të këtij viti.

Numri total i tyre është 1 mijë e 90 votues.

Procesi i votimit në Kosovë

“Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm 1,090 votuesit jashtë Kosovës të komunës së Dragashit, të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021”, thuhet në njoftim.

Theksojmë se Gjykata Supreme kishte urdhëruar KQZ-në të organizojë përsëritje të votimit nga diaspora për kryetar të Dragashit.

Ky vendim erdhi pasi Gjykata kishte pranuar ankesë nga kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaban Shabani, i cili kishte dyshime në vërtetësinë e numrit të votave nha diaspora.

Gjykata kishte pranuar pjesërisht edhe ankesën e kandidatit të LDK-së për kryetar të Dragashit, Bexhet Xheladini.

Votat e diasporës në votimet e raundit të dytë për zgjedhjet lokale të 17 nëntorit kishin ndryshuar rezultatin zgjedhor në Dragash.

Pas numërimit të votave nga diaspora, i pari në garë kishte dalë Behxhet Xheladini nga LDK, ndërsa me vota të rregullta këtë komunë e kishte fituar Shaban Shabani nga PDK.

Për këtë çështje, kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Dragash, Qamil Kolloni, kishte reaguar pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për votat e ardhura nga diaspora.

“Është e dyta herë që po ndodh në Komunën e Dragashit, në zgjedhjet e vitit 2017 edhe në këto zgjedhje. Realisht PDK po don ta merr pushtetin në tavolinë dhe jo përmes votës”, kishte deklaruar Kolloni për Shqip.com.

Në anën tjetër, të dy partitë PDK dhe LDK, kishin shpallur fitoren në këtë komunë./Shqip.com