Lajme

KPK-ja i reagon ambasadës britanike: Kemi njoftuar me kohë të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë

Këshilli Prokurorial i Kosovës
Këshilli Prokurorial i Kosovës

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) i ka reaguar publikisht Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë, e cila të enjten doli me një deklaratë, përmes së cilës u shpreh e befasuar nga vendimi i PK-së për të shpallur konkurs për Kryeprokuror të Shtetit.

Nga kjo ambasadë kanë thënë se edhe pse prej vitesh e mbështesin KPK-në, ky institucion ka publikuar vendimin pa mbështetjen e tyre.

Por, në reagimin e tyre, Këshilli ka thënë se me kohë i ka njoftuar të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë me agjendën e takimit të 208 të saj, ku ishte caktuar si pikë e rendit të ditës propozimi për shpalljen e Konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës, ashtu siç ka marrë vendim për shpalljen e konkursit, duke u bazuar në afatet ligjore, do të vazhdojë të gjitha procedurat deri në zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri, duke respektuar ligjet dhe aktet e tjera nënligjore që rregullojnë këtë proces”, thuhet në komunikatën për media.

“Po ashtu, Këshilli Prokurorial i Kosovës, sikurse në proceset e tjera, edhe në këtë proces do të ftojë partnerët ndërkombëtarë për monitorim, me qëllim që të jetë sa më transparente zgjedhja e Kryeprokurorit të ri të Republikës së Kosovës”.   

Mes tjerash, KPK-ja thotë se e vlerëson lart “mbështetjen e vazhdueshme që po japin partnerët ndërkombëtarë, andaj edhe do të vazhdojë të bashkëpunojë për të gjitha proceset e sistemin prokurorial të Kosovës, me qëllim të fuqizimit dhe ngritjes së vazhdueshme të efikasitetit të këtij sistemi”./SHQIP.com