Lajme

KPK-ja dhe Prokurori i Shtetit: Informacionet e deklaruara sot nga kryeministri Kurti janë të pasakta dhe tendencioze

Këshilli Prokurorial i Kosovës
Këshilli Prokurorial i Kosovës

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Prokurori i Shtetit kanë reaguar ndaj deklaratave të dhëna nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencë për media.

Kurti në koferencë për media është shprehur se rreth 200 gjykatës kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht dhe gjobë për rastet e dhunës seksuale.

Lexo edhe:
Kurti: Rreth 200 gjykatës kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht dhe gjobë për rastet e dhunës seksuale

Lidhur më këtë deklaratë nuk është pajtuar Këshilli Prokurorial i Kosovës.

“Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit shprehin sërish shqetësimin e thellë lidhur me riciklimin e vazhdueshëm të deklaratave të pamatura, të paverifikuara dhe deklarimin e pasaktë të raporteve zyrtare dhe të të dhënave statistikore në raport me sistemit prokurorial, i cili po bëhet vetëm për konsum dhe agjendë politike nga ana e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës” thuhet fillimisht në reagim

Më tutje në reagim thuhet se këto prononcime publike të Kryeministrit dhe Ministres së Drejtësisë për parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale në Prokurori, demantohen tërësisht nga raportet zyrtare të sistemit prokurorial.

“Nga raportet e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, sipas të dhënave për veprat penale për rastet e dhunës seksuale përgjatë vitit 2020, 2021 dhe gjashtëmujorit të parë të vitit 2022, është parashkruar vetëm një (1) rast që ka pasur të bëjë me dhunën seksuale”, thuhet në reagim.

Për më tepër, ky deklarim i pasaktë dhe tendencioz i Kryeministrit, shpreh nevojën që Kryeministri i vendit të bashkëpunojë dhe bashkëveprojë me sistemin prokurorial në suaza të kompetencave përkatëse, thuhet më tutje në reagimin e KPK-së./Shqip.com