Lajme

Kurti: Rreth 200 gjykatës kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht dhe gjobë për rastet e dhunës seksuale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka hedhur akuza në drejtim të gjyqtarëve.

Në një konferencë për media ku është bërë e ditur se Projektligji për Vettingun do të dorëzohet gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës, Kurti ka folur edhe për punën e gjyqtarëve.

I pari i Qeverisë është shprehur se rreth 200 gjykatës kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht dhe gjobë për rastet e dhunës seksuale.

Për këtë arsye, sipas Kurti nuk ka ndonjë alternativë tjetër pos procesit të vettingut.

““Fuqia që vjen nga pozita e gjyqtarit dhe prokurorit në vete ngërthen përgjegjësi të madhe ndaj qytetarit, për të garantuar të drejtat e secilit, e për të fuqizuar sundimin e ligjit, gjyqtari vepron me urtësi, maturi e profesionalizëm. Gjyqësori ynë përkundër të gjitha garancive kushtuese ngjan sikur mundohet ta dëshmojë të kundërtën. I akuzuar dhe i dënuar për shumë vepra penale ec i lirë nëpër rrugët e Prishtinës, dhunuesi lirohet pas tetë muajsh burgim, dhunuesi nuk rehabilitohet, e përsërit veprën e madje edhe vret, nuk ka alternativë ndaj vetingut të sistemit gjyqësor e prokurorial. Këtë e kuptojnë edhe vetë akterët e këtij sistemi e edhe ata më skeptikët për vetingun”, ka thënë Kurti.

Një ditë më parë Prokuroria Themelorë në Prishtinë, ka bërë të ditur se janë arrestuar gjashtë përsona të dyshuar lidhur me dhunimin e 11 vjeçares në qershor të këtij viti./Shqip.com