Sport Shqiptar

Kosova U21 gati për përballjen me Anglinë

Të premten Kombëtarja e Kosovës U21 do të përballet kundër Anglisë U21.

Takimi do të zhvillohet në Prishtinë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Trajneri Albert Bunjaki është shprehur optimist për ndeshjen.

“Më e mira e ndeshjes me Anglinë është se askush nuk beson se ne mund të nxjerrim rezultat pozitiv. Por, ne besojmë se me përgjegjësi e disiplinë në lojën defanzive mund t’i sjellim telashe edhe kombëtareve të nivelit të Anglisë. Normalisht, se nuk do të jetë e lehtë sepse niveli i kësaj kombëtare është krejt tjetër, por neve kjo ndeshje do të na shërbejë si shkollë dhe si vizion për të ardhmen. Pres maksimumin prej secilit lojtar dhe do të jetë interesant si për mua, po ashtu edhe për lojtarët të shohim sa do të arrijmë të ballafaqohemi me një kundërshtar të tillë”, ka theksuar ai.

Kosova mposhtu Andorrën me rezultat bindës 3:0, në ndeshjen e parë të qershorit.

Për këtë ndeshje ka folur Qendrim Zyba, i cili e ka cilësuar si një ndeshje mjaft të vështirë.

“Ka qenë një ndeshje jo e lehtë, sepse Andorra u mbrojt me shumë futbollistë, por ne dhamë maksimumin për t’i marrë tri pikë dhe ishte ndjenjë shumë e mirë kur fituam. Tani, patjetër se Anglia është një superkombëtare, por ne besojmë se harmonia që kemi në grup të na e sjellë një rezultat pozitiv. Nuk ia kemi frikën kësaj përballjeje, ngase ne duhet ta përfaqësojmë vendin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe pse jo edhe të bëjmë befasi. Ju bëj thirrje tifozëve ‘Dardanët’ që të jenë në numër sa më të madh prezent për të na mbështetur në këtë ndeshje të vështirë”, ka thënë Zyba.

Në ndeshjen e parë kundër Anglisë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2023, Dardanët e rinj kishin pësuar humbje 2:0. Ata aktualisht renditen në pozitën e tretë me 11 pikë, derisa Anglia kryeson me 22 pikë.

Ndeshja Kosovë U21 – Angli U21, zhvillohet të premten, në orën 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe hyrja për të gjithë tifozët është falas./Shqip.com