Kulturë

Kosova shfaq ekspozitën “Trashëgimia Kulturore dhe jeta ndër Breza”, në Muzeun e Shqipërisë

Në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Shqipëri-Kosovë, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, Muzeu i Kosovës hapi ekspozitën me titull “Trashëgimia Kulturore dhe jeta ndër Breza”.

Ekspozita kishte në përmbajtje fotografi të cilat ofrojnë mundësi të shumta informimi, si për mjedisin kulturor, arkitekturën tradicionale, veglat dhe mjetet e punës të sektorit primar dhe të zejtarisë.

Gjithashtu, veshje tradicionale si dhe mjete tradicionale të punës dhe të kohës në proces për forma tradicionale të punës në bujqësi.

“Tybeleshat shqiptare – zakon ky i rrethanave të trashëgimisë kulturore; ritin e kumbarisë – përmes prerjes së flokut; mënyrën e të kënduarit me gisht në fyt, nga vajza drenicake, tash e sa vite i harruar në traditën e kësaj krahine; lojëra tradicionale të fëmijëve; për tregjet e organizuara në qendra të ndryshme, e shumë e shumë çka tjetër”, thuhet në njoftimin e Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, në Shqipëri, Dr.Dorian Koçi, theksoi se është kënaqësi e veçantë që në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë dhe mbledhjes së pestë të përbashkët të dy qeverive, të hapim ekspozitën në fjalë.

“Kjo është ekspozita e dytë, e cila na sjell një pjesë të rëndësishme të memories urbane dhe pjesë që ndoshta mund të jenë harruar dhe që mund të kenë qenë rite ose doke të vjetra të cilat pritet të ripërtërihem”, shtoi tutje ai.

Vizitorit, përmes kësaj ekspozite, i ofrohet mundësia e krijimit të imazhit për mjedisin kulturor kosovar në aspektin diakronik dhe sinkronik, me përmbajtje dhe vlera të mirëfillta të trashëgimisë kulturore.

Ekspozita është kuruar me mjaft profesionalizëm nga kuratorët Besarda Reçica, Fahri Sheqiri, Arberina Mataj dhe mirëpret të gjithë të interesuarit për ta vizituar.