Sport Shqiptar

Kosova përgatitet për dy ndeshjet e rëndësishme ndaj Malit të Zi dhe Sllovenisë

FOTO: Federata e Hendbollit e Kosovës
FOTO: Federata e Hendbollit e Kosovës

Hendbollistët e Përfaqësueses së Kosovës tashmë kanë nisur përgatitjet për dy ndeshjet e fundit të kualifikimeve për Euro 2024. Kjo javë i takon Kosovës.

Të enjten prej orës 20:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë është ndeshja Kosova – Mali i Zi, njofton Federata e Hendbollit e Kosovës, shkruan Shqip.com.

Ndërsa të dielën prej orës 18:00 është takimi Sllovenia – Kosova që luhet në Velenje.

“Kemi disa mungesa të rëndësishme, ndërsa disa prej lojtarëve janë të lodhur për shkak të ndeshjeve të shumta e të shpeshta në nivel klubesh. Por përkushtimi është maksimal për të konfirmuar nivelin që e kemi arritur. Ndeshja me Malin e Zi nuk do të jetë e lehtë për ne, por nuk do të jetë e lehtë as për Malin e Zi”, ka thënë selektori Bujar Qerimi.

Të dielën mbrëma ishte stërvitja e parë e Kombëtares, ndërsa stërvitja tjetër u zhvillua të hënën paradite.

Atmosfera është shumë e mirë, ndërsa lojtarët janë të vendosur për ta shfrytëzuar maksimalisht këtë grumbullim për hapin tutje dhe ambientimin e ardhjeve të reja.

/Shqip.com