Sport Shqiptar

Kosova në vazon e dytë në shortin e Botërorit

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll është në vazon e dytë në shortin për fazën e parë kualifikuese për Kampionatin e ardhshëm Botëror. Shorti i fazës së parë kualifikuese tërhiqet më 5 korrik nga ora 11:00 në Vjenë.

Në fazën e parë kualifikuese janë dhjetë përfaqësuese. Në vazon e parë janë Belgjika, Izraeli, Sllovakia, Finlanda dhe Estonia. Ndërsa në vazon e dytë bëjnë pjesë Letonia, Italia, Kosova, Luksemburgu dhe Britania e Madhe.

Faza e parë kualifikuese është me sistem eliminimi. Ndeshjet e para luhen më 1 apo 2 nëntor të këtij viti, ndërsa të kthimit më 4 dhe 5 nëntor. Kosova përballë do ta ketë një përfaqësuese të vazos së parë. Nëse tregohet më e suksesshme pas dy ndeshjeve, kalon në fazën e dytë kualifikuese.

“Shpresohet në short të favorshëm, ndërsa synimi do të jetë kalimi në fazën e dytë”, ka shkruar FHK-ja.

Përfaqësuesja e hendbollit nuk është në momentin më të mirë. Në kualifikimet për “Euro 2024” i ka humbur të gjitha gjashtë ndeshjet në grup me Slloveninë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi. Në asnjërën prej ndeshjeve nuk ishte pranë fitores. Për kualifikimet për “Euro 2026”, Kosova ka rënë një nivel më poshtë.

Ndërkohë në kualifikimet për “Botërorin 2023”, faza e parë ishte grupore. Kosova ishte në grup të fortë me Greqinë, Belgjikën e Turqinë. I luajti gjashtë ndeshje të forta dhe shumë të barabarta, por kishte vetëm një fitore e një barazim. Me tri pikë mbeti e fundit.

Belgjika, Izraeli, Sllovakia, Finlanda e Estonia vlerësohet se kanë cilësi të përafërt me Kosovën.

Botërori i ardhshëm i hendbollit mbahet prej 8 deri më 26 janar të vitit 2025 në Kroaci, Danimarkë e Norvegji.

Kualifikimet evropiane për Botëror janë të ndara në tri faza të ndryshme.

/Shqip.com