Lajme

Kosova merr “dritën jeshile” për t’u rikthyer me të drejtat e plota në ENQA

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se Kosova ka pranuar sot statusin e kandidatit në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).

Ajo ka thënë se me vendimin e sotëm është vetëm edhe një hap larg për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e ENQA.

“Kam kënaqësinë t’ju informoj se në mbledhjen e 20 shtatorit 2022, Bordi i ENQA-s shqyrtoi aplikacionin tuaj për anëtarësim në ENQA dhe vendosi t’i japë AKA statusin e ‘affiliate’ në ENQA”, shkruan në letrën e drejtoreshës së ENQA, drejtuar drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim”.

Ajo ka thënë se kjo është një arritje e jashtëzakonshme.

“Kjo është një e arritur e jashtëzakonshme nga e cila do të përfitojnë studentët, të diplomuarit, komuniteti akademik dhe shteti i Kosovës në përgjithësi. Vendimi i sotëm është një garanci kredibile për cilësinë në arsimin e lartë dhe lehtëson procesin e njohjes së diplomave të studentëve dhe të diplomuarve në vendet evropiane. Po ashtu, ky vendim lehtëson procesin e shkëmbimit të studentëve dhe profesorëve me vendet evropiane dhe më gjerë.

Me vullnet, politika cilësore e që mundësojnë pavarësi institucionale,  me bashkëpunim profesional, hap pas hapi po përmirësojmë dëmet e shkaktuara nga ndërhyrjet partiake të qeverive të kaluara. Tre vite më parë, për shkak të ndërhyrjeve politike të qeverisë PAN, Kosova ishte përjashtuar nga ENQA, tani tri vite pas po ecim para edhe në këtë drejtim”, ka shkruar ajo.

Ndryshe, Agjencia Kosovare e Akreditimit është përjashtuar nga ENQA në vitin 2019.

Në letër janë listuar disa arsye për të cilat, bordi i ENQA-s mori këtë vendim dhe ku thuhet se Agjencia nuk i ka përmbushur rregullat evropiane.

Këto arsye përfshijnë “mungesën e konsensusit të gjerë në arsimin e lartë lidhur me rolin dhe aktivitetet e agjencisë”.

Tutje, ata përmendin mungesën e resurseve njerëzore dhe financiare për të realizuar aktivitetet e AKA./SHQIP.com