Lajme

Kosnett: Duket se Vuçiq zgjodhi Putinin në vend të Perëndimit, BE dhe SHBA ta keni parasysh

Ambasadori në largim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett

Philip Kosnett, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosova ka reaguar ndaj qëndrimit të Serbisë në luftën në Ukrainë.

Kosnett u ka kërkuar BE-së dhe SHBA-së që ta kenë parasysh rreshtimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq i cili u rreshtua në krah të presidentit rus Vladimir Putin.

“Pra, duket se Vuçiq i Serbisë ka zgjedhur Putinin në vend të Perëndimit – ndërsa pretendon se duart e tij janë të lidhura nga opinioni publik dhe fshihet pas Kishës. Kjo nuk është udhëheqje; është frikacak moral. BE, SHBA ju lutemi kini parasysh”, ka shkruar ish-ambasadori në “Twitter”.

Cicërima e ish-ambasadorit të SHBA-së Philip Kosnett

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Serbia e respekton integritetin territorial të Ukrainës, por nuk do të vë sanksione ndaj Rusisë.

Në një konferencë për media, Vuçiq ka lexuar konkludimet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku sipas tij, në pikë të parë Serbisë i vjen keq për gjithçka që ndodh në Evropën Lindore.

“Ne i shohim rusët dhe ukrainasit si popull vëllazëror. Serbia është e përkushtuar ndaj parimit territorial. Bazuar në nenin 16 të Kushtetutës së Serbisë, një nga parimet themelore është respektimi i integritetit territorial të shteteve të tjera. Serbia mbështet plotësisht integritetin territorial të Ukrainës ”.

“Serbia do të udhëzohet nga mbrojtja e interesave të saj mbi Rusinë, nuk është jetësore për Serbinë të vë sanksione ndaj dikujt”, ka deklaruar Vuçiq./Shqip.com