Lajme

“Korrupsioni dhe nepotizmi – kancer i shoqërisë, por vjedhja e shpresës së qytetarit, është edhe më tragjike”

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë Kurti duke thënë se gjatë këtij sesioni pranveror të Kuvendit “nuk ka nxjerr ligje në dobi të qytetarëve, zhvillimit ekonomik të vendit, e shumë çështje të tjera me rëndësi”.

Haradinaj është shprehur se Lëvizja Vetëvendosje i kishte të gjitha mundësitë, meqë ka shumicën parlamentare, por sipas tij, nuk ka punuar në interes të qytetarëve.

“Korrupsioni dhe nepotizmi janë kancer i një shoqërie, por kur vidhet shpresa e qytetarit, është edhe më tragjike”, ka shkruar ai në Facebook.

I pari i AAK-së tutje ka thënë se ky sesion parlamentar, do të mbahet mend më së shumti për tri gjëra:

“Mosmiratimin e rezolutës në mbështetje të Marrëveshjes së Uashingtonit, që është edhe akti i parë anti-amerikan në historinë parlamentare të Kosovës”.

“Shkarkimet e bordeve të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura dhe emërimi në to i familjarëve dhe të afërmve të ministrave dhe deputetëve, si dhe eksponentëve të lidhur me partinë në pushtet.

“Nga 193 ligje të parapara me agjendën e qeverisë, vetëm 4 janë miratuar nga Kuvendi me shumicë stabile. Kjo sepse të njëjtit u shpërqendruan me rahatime të familjarëve, duke lënë anash detyrën për të cilën ekskluzivisht janë zgjedhur nga qytetari i Kosovës”.

Ndryshe, sesioni pranveror i legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës është vlerësuar nga Instituti Demokratik i Kosovës të ketë qenë i ngadalshëm dhe me probleme, një ndër të cilat është mungesat e shumëta të deputetëve në seanca. KDI ka rekomanduar bashkëpunim më të madh të qeverisë me opozitën si dhe çështja e mungesës së deputetëve të rishikohet me ndëshkime./SHQIP.com