Lajme

Mungesa të shumta të deputetëve në seanca gjatë sesionit pranveror – KDI kërkon të ndëshkohen

Instituti Demokratik i Kosovës

Sesioni pranveror i legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës po vlerësohet të ketë qenë i ngadalshëm dhe me probleme, një ndër të cilat është mungesat e shumëta të deputetëve në seanca.

Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës, në një konferencë për media ku ka shpalosur të gjeturat nga raporti i monitorimit të punës së Kuvendit, ka thënë se deputetët kanë munguar 440 herë në seanca.

Sipas saj, ky institucion gjatë sesionit pranveror është karakterizuar me ritëm të ngadaltë të punës, por me performacë më të mirë.

“Janë mbajtur 23 seanca. Një problematikë janë mungesat e shumta të deputetëve në seanca që ndikon në punën e Kuvendit. Deri në fund të korrikut deputetët kanë munguar 440 herë”, ka thënë ajo.

Më tej, Haxhiu ka theksuar se ky sesion është shënuar me numër te vogël të ligjeve, “vetëm shtatë sosh për dallim nga 10 sa ishin vitin e kaluar në këtë periudhë”.

“Qeveria ka proceduar vetëm 27 projektligje. Në mungesë të votave të mjaftueshme dy marrëveshje ndërkombëtare kanë arritur të votohen vetëm pas tentativës së tretë”.

KDI ka rekomanduar bashkëpunim më të madh të qeverisë me opozitën si dhe çështja e mungesës së deputetëve të rishikohet me ndëshkime./SHQIP.com

Foto: EO