Lajme

Konsulli i shkarkuar nga Gërvalla: Vendim i bazuar në urrejtje, më është kërkuar heqja e flamurit të UÇK-së nga zyra

Lulzim Krasniqi

Ministrja e Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla ka shkarkuar konsullin e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në New York, Lulzim Krasniqin.

Krasniqi vendimin e Gërvallës e quan të bazuar në urrejtje dhe paranoja.

“Diçka për ministren Gërvalla! Vendimi juaj për heqjen time nga Shërbimi i Jashtëm bazohet në urrejtje dhe në paranoja”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Krasniqi tha se me të njëjtën urrejtje iu është kërkuar atij që të largohet flamuri i UÇK-së nga zyra e Konsullatës.

“Me të njëjtën urrejtje, gjatë vizitës suaj në SHBA, në prill të këtij viti, ju keni urdhëruar largimin e flamurit të UÇK-së nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju-Jork. Pavarësisht kësaj, atë flamur të shenjtë e kam vendosur në zyrën time gjatë gjithë kohës”.

Tutje, Krasniqi ka thënë se me largimin e tij mund të largohet edhe flamuri i UÇK-së por ai është themeli i Kosovës./Shqip.com