Lajme

Konjufca: Serbia vazhdon të mohojë dhe të mos dënojë gjenocidin që ka kryer në Bosnjë e Kosovë

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca

Me rastin e 27-vjetorit të Masakrës së Srebrenicës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se sikurse edhe shumë vende në rajon edhe Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën përmes të cilës dënojnë gjenocidin serb në Srebrenicë.

“27 vjet më parë, forcat serbe të Bosnjës, të ndihmuara nga Serbia, vranë dhe masakruan mbi 8000 burra, djem, pleq dhe fëmijë të mitur myslimanë në Srebrenicë – zonën e shpallur të sigurtë nga Kombet e Bashkuara. Sikur shumë vende në rajon dhe më gjerë, Kuvendi i Republikës së Kosovës kohë më parë ka miratuar Rezolutën përmes së cilës njohu dhe dënoi gjenocidin serb në Srebrenicë”, ka shkruar Konjufca.

Sipas Konjufcës, Serbia po vazhdon të mohojë gjenocidin në Kosovë e Bosnjë.

“Serbia vahzdon ta mohojë dhe të mos e dënojë gjenocidin që ka kryer në Bosnjë dhe në Kosovë. Mijëra kriminelë serbë ende nuk janë ballafaquar me drejtësinë, ndërsa bashkëpjesëmarrësit në gjenocidin kundër myslimanëve të Bosnjës dhe shqiptarëve të Kosovës janë në krye të Serbisë”, ka thënë Konjufca.

Srebrenica, Reçaku, Krusha, Meja…, janë vetëm disa nga vend krimet më të mëdha në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore, janë plagë e hapur, dhimbje e pafund dhe drejtësi e munguar, ka shtuar më tutje Konjfuca./Shqip.com