Lajme

Konjufca pret në takim një delegacion nga Maqedonia e Veriut, flasin për bashkëpunimin mes shteteve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga deputetët Ganimete Musliu dhe Avni Dehari, ka pritur sot në takim një delegacion të deputetëve nga Grupi i Miqësisë i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të kryesuar nga kryetari Afrim Gashi.

Në këtë takim është diskutuar për aktualitetin politik, zhvillimet rajonale, mbështetjen e ndërsjellë në rrugën e integrimit evropian dhe euroatlantik, si dhe për mundësitë e zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit ndërparlamentar përmes grupeve të miqësisë.

Kryetari i Kuvendit, nënvizoi se për Republikën e Kosovës është interes vital orientimi auroatlantik i Maqedonisë së Veriut dhe vlerësoi se bashkëpunimi i ngushtë në mes të dyja shteteve i kontribuon zhvillimit të gjithmbarshëm dhe stabilitetit rajonal.

Ai po ashtu kërkoi mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për proceset nëpër të cilat i ka përpara Kosova.

Në takim, u ritheksua gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit dhe intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

/Shqip.com