Lajme

Konjufca: Nuk ka arkiva të UÇK-së, është vetëm i Kosovës që është më i hapuri në botë

Kryeparlamentari i Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është shprehur se nuk ka ndonjë arkivë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përcjell Shqip.com.

Sipas tij, arkivi i Kosovës është më i hapuri në botë, të cilin mund ta shohin të gjithë dhe se hapja e arkivave të fshehta të Serbisë është në interes të Kosovës.

Lexo edhe:
Konjufca: Nuk jam optimist se marrëveshja përfundimtare me Serbinë arrihet pa u prekur Kushtetuta e Kosovës

“Nuk ka arkiva të UÇK-së. Është arkivi shtetëror i Republikës së Kosovës. Ky arkiv është ndërtuar për për vite të tëra për 20 vjet. Kanë qenë këtu edhe UNMIK, EULEX, Bashkimi Europian dhe SHBA dhe arkiv më i hapur se i Kosovës s’besoj që ekziston në botë. Nëse shkon sot në arkivin e Kosovës në krejt dokumentet ke qasje”, tha ai në Klan Kosova.

Tutje, Konjufca shtoi se në arkivin e Kosovës ka incizime që janë realizuar nga gazetarët për luftën dhe UÇK-në të cilat janë të publikuara edhe në media, prandaj, sipas tij, Kosova nuk ka çka të fshehë.

“Në arkivat shtetërore të 20 vjetëve janë edhe vitet 98/99 me luftën e lavdishme të UÇK-së. Aty ka incizime. Arkivi shtetëror i Kosovës është i hapur për të gjithë në botë, nuk kemi çka fshehim. A ka diçka që s’është mediatike?”, tha ai.

Kryeparlamentari ka shtuar se arkivat e fshehura të masakrave në Kosovë i ka ushtria serbe.

“Shteti serb kur e ka kryer gjenocidin në Kosovë. Një oficer ushtarak që e ka udhëhequr një ekspeditë në një rajon të Kosovës, për shembull të Mejës dhe nuk mundet që në një shtet siç ka qenë Serbia që një gjeneral të japë urdhrin njësive ushtarake për të masakruar dhe për t’i transportuar trupat me kamionë për t’i varrosur në një varr masiv e mos me qenë një procesverbal”, shtoi ai.

Lexo edhe:
Tahiri: S’ka arkiva të UÇK-së

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, pas takimit me palën serbe në Bruksel ka deklaruar se “arkivat e UÇK-së” duhet të hapen.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se “s’kanë çfarë të fshehin”.

Në anën tjetër opozita po e kritikon ashpër Qeverinë, duke thënë se synohet “prishtja e imazhit të UÇK-së”./Shqip.com