Lajme

Konjufca: S’jam optimist për arritjen e marrëveshjes me Serbinë

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk është optimist se mund të arrihet marrëveshje përfundimtare me Serbinë, pasi udhëheqësit e këtij shteti duan ta prekin Kushtetutën e Kosovës, përcjell Shqip.com.

Sipas tij, koalicioni qeverisës në Serbi dominohet nga një forcë politike që rrënjët e saj i ka në hegjemonizmin serb.

“Unë mendoj se kjo (marrëveshja përfundimtare pa u prekur Kushtetuta e Kosovës) do të ishte opsioni më i mirë për Kosovën, por nuk jam shumë optimist që kjo do të arrihet. Përse nuk jam optimist?

Pesimizmi im ka të bëjë me përmbajtjen e pushtetit në Serbi, me çfarë natyre pra ka qeveria e Serbisë dhe le të themi koalicioni qeverisës atje, pra ai dominohet totalisht nga një forcë politike e cila rrënjët e saj politiko-ideologjike i ka në hegjemonizmin serb i cili le të themi ndoshta në momente të caktuara historike e ka përjetuar ndonjë modifikim dytësor, por orientimin esencial që një shekull e gjysmë, së paku nga Kongresi i Berlinit, e ka të njëjtë për të realizuar atë që e tha [Aleksandar] Vulini e të cilin e mbështeti [Aleksandar] Vuçiqi para rreth një muaji për krijimin e një bote serbe”, tha ai në Klan Kosova.

Tutje, Konjufca foli rreth takimit me Emisarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, teksa tha se nga ky i fundit kërkoi që të mos ketë bisedime për territorin e vendit.

Ai thotë se në të kaluarën, Lajçaku ka dhënë deklarata që e kanë dëmtuar interesin e Kosovës.

“Këtë duhet t’ia thotë çdo zyrtar shtetëror i Republikës së Kosovës Miroslav Lajçakut, për shkak se kur e mori mandatin për të qenë njeriu kryesor i mandatuar nga Bashkimi Evropian për ta udhëhequr pozicionin dhe përgjegjësinë e ndërmjetësit kryesor në dialogun Kosovë- Serbi Lajçak i pati disa deklarata të cilat mendoj se e kanë dëmtuar interesin e Republikës së Kosovës”.

Konjufca shton se deklaratat e Emisarit të BE-së, si ajo për mundësinë e prekjes së Kushtetutës së Kosovës, janë të rrezikshme për vendin.

“Deklarata të cilat nënkuptonin disa mesazhe që ai i lëshonte në drejtim të kornizës së marrëveshjes, e cila sipas tij nuk e përjashton mundësinë e prekjes së Kushtetutës së Kosovës. Kjo ma merr mendja që është shumë e dëmshme. Edhe kryeministri edhe presidentja dhe zyrtarë të tjerë, zëvendëskryeministri Bislimi për shembull i cili po udhëheq ekipet e dialogimit, ia kanë bërë të qartë Lajçakut që kjo qasje nuk është e mirëpritur në Kosovë.

Nëse insistohet që zgjidhja përfundimtare me Serbinë do ta ketë formën e ndryshimit të vetë Kosovës nga aspekti institucional kushtetues, për neve kjo është shumë e rrezikshme. Është një qasje që në fund rrezikon me cenimin e rendit juridiko-kushtetues të Republikës së Kosovës, por gjithmonë në favor të Serbisë”, shtoi ai./Shqip.com