Lajme

Konjufca në takim me Albright: Projektet e MCC-së ndikojnë në pavarësinë energjetike të Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është takuar me kryeshefen ekzekutive të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.

Sic ka njoftuar Kuvendi i Kosovës, Konjufca në këtë takim tha se projektet e MCC-së do të ndikojnë në pavarësinë energjetike të Kosovës.

“Në këto kohë të vështira, kur kriza energjetike si rezultat i pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia po përdoret si mjet për të kërcënuar stabilitetin në Evropë dhe më gjerë, miq të dëshmuar si Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në krah të Kosovës. Projektet e MCC-së do të ndikojnë në pavarësinë energjetike të Kosovës, do të diversifikojnë burimet energjetike dhe do të mbështesin avancimin e grave në sektorin e energjisë, theksoi kryetari Konjufca”, thuhet në njoftimin nga Kuvendi i Kosovës.

Në këtë takim, Konjufca ka falënderuar Albright dhe SHBA-të për programin “Kompakt” për Kosovën.

“Me këtë rast, kryetari Konjufca e ka falënderuar znj.Albright, MCC-në dhe Shtetet  e Bashkuara të Amerikës për programin “Kompakt” që parasheh ndihmën mbi 200 milionë dollarëshe për ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë në Kosovë, duke e cilësuar si projektin më të madh energjetik që nga paslufta”.

Albright përshëndeti gatishmërinë e Kuvendit të Kosovës për të bashkëpunuar me MCC-në.

Në takim morën pjesë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe pjesëtarë të tjerë nga MCC-ja.

Nënshkruhet marrëveshja për energjinë ndërmjet MCC-së dhe Kosovës – SHQIP.com

Para dy muajsh, është nënshkruar Marrëveshja për Programin Kompakt, në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, ndërmjet Kosovës dhe MCC-së në Uashington.

Para ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, shefja e MCC-së, Alice Albright  ka thënë se marrëveshjet e MCC-së sjellin dobi për miliona njerëz, derisa ka thënë se qytetarët e Kosovës po përballen me probleme me energjinë.

“Është shumë bukur që jemi mbledhur këtu në këtë moment të rëndësishëm për të dy vendet. Shumë persona  ka bërë shumë punë për të mbërritur në këtë moment të rëndësishëm. Në 49 vende që nga viti 2004, SHBA ka investuar rreth 15 miliardë dollarë. Sot Kosova dhe MCC nënshkruajnë marrëveshjen në vlerë 202 milionë dollarë e cila do të trajtojë problemin më të madh ekonomike i cila është furnizimi jo i besueshëm më energji elektrike”, tha ajo.

Tutje, ajo ka thënë se 4 nga 10 shtëpi në Kosovë përballen me mungesën e energjisë.

/Shqip.com