Lajme

Konjufca: Jemi për fqinjësi të mirë, fokusi ynë mbetet njohja e plotë

Gabriel Escobar dhe Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka shkruar pas takimit me emisarin e SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, se në takim u bisedua për zhvillimet aktuale në vend dhe për dialogun.

Konjufca ka deklaruar se Kosova është e interesuar për fqinjësi të mirë dhe se fokusi i shtetit është njohja e plotë nga Serbia.

“Diskutuam për zhvillimet aktuale politike në vend, rajon dhe më gjerë, procesin e dialogut dhe hapat e mëtejmë, me fokus të veçantë propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Republika e Kosovës është e përkushtuar për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet në rajon. Gjithashtu, për dallim nga Serbia si palë minuese, Republika e Kosovës ka luajtur rol konstruktiv përgjatë gjithë procesit të dialogut, përfshirë edhe takimin e 27 shkurtit në Bruksel.

Ritheksova se asnjëherë nuk do ta humbim fokusin nga njohja e plotë, dhe se çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet në procesin e dialogut me Serbinë duhet të respektojë në plotni sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Konjufca.

Tutje, kryeparlamentari ka falënderuar emisarin Escobar për angazhimin në procesin e dialogut dhe rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve në raport me Kosovën.

/Shqip.com