Lajme

Komunat kërkojnë bashkëpunim dhe mbështetje nga Qeveria

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së sotme ka zhvilluar takim me kryetarët e komunave të Kosovës.

Kryetari i Asociacionit të Komunave, Agim Aliu, në takimin e kryetarëve me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar bashkëpunim dhe mbështetje më të fuqishme nga Qeveria.

“Na duhet bashkëpunim dhe koordinim më i madh në mënyrë që të kemi një qeveri lokale të fuqishme ashtu siç është e paraparë edhe në Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ashtu siç meritojnë qytetarët tanë”, ka thënë Aliu në fjalën e tij.

Lidhur me buxhetin komunal, është deklaruar që buxheti për komuna do të jetë rreth 660 milionë euro e që krahasimisht me vitet 2021 dhe 2020, shprehur në përqindje, sipas Aliut, rezulton se ky buxhet aktual, është më i vogël sesa dy vitet paraprake.

Në anën tjetër, në fjalën e tij, Kurti ka folur lidhur me të arriturat e Qeverisë së tij gjatë vitit 2022.

Kurti ka thënë se si Qeveri e Kosovës kanë investuar edhe në sektorin e Bujqësisë me 70 milionë euro. Ai ka thënë se kjo përbën përkrahjen më të madhe për bujqit në Kosovë.

Më tutje kryeministri Kurti ka thënë se Kosova ka filluar të çlirohet nga korrupsioni si dhe ta shtojë bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare.

Kurti u ka thënë kryetarëve të komunave se gjatë vitit 2023 pret bashkëpunim nga ana e tyre.

/Shqip.com