Lajme

Komunat dorëzojnë padinë kundër MASHTI-t dhe MSH-së

Asociacioni i Komunave të Kosovës gjatë ditë së sotme ka dorëzuar padi kundër Ministrisë së Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit si dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Në një konferencë për media drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi ka thënë se në bazë të vlerësimeve të tyre dëmi që ju është shkaktuar komunave kalon vlen mbi 35 milionë euro.

“Ashtu siç kemi paralajmëruar Komunat e Republikës së Kosovës do të do të deponojnë padinë sa i përket çështjes së kontratave kolektive ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së shëndetësisë, ku vlera e dëmit në bazë të vlerësimeve  të AKK-së, kalon shumën prej 35 milionë eurove”, tha Ibrahimi.

Ibrahimi tha se synimi kryesor i komunave është që këto mjete financiare të kthehen në buxhetin  komunave në mënyrë që të gjejnë zbatim në shumë projekte kapitale.

“Synimi kryesor i komunave është në këto mjete financiare të kthehen në buxhetet komunale, në mënyrë që këto mjete financiare të gjejnë zbatim në shumë projekte kapitale të cilat shkojnë në të mirën e qytetarëve”.

Sipas Ibrahimit, deri më tani janë mbi 26 komuna të cilat do të dorëzojnë padi.

Lexo edhe:
Komunat paditin MSH-në dhe MASHTI-n, thonë se u dëmtuan 35 milionë euro

Gjatë ditës së djeshme, Ibrahimi ka njoftuar se padia ka të bëjë për kontratat kolektive.

“Nesër, zyrtarët komunalë të cilët janë përgjegjës për të ngritur padi në emër të komunave, do të jenë aty në orën 10:30, para gjykatës kompetente, në këtë rast Gjykatës Themelore të Prishtinës. Nesër komunat e Republikës së Kosovës do të mobilizohen dhe do ta deponojnë padinë, secila komunë veç e veç, ndaj ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, për dëmet që ju kanë shkaktuar komunave përgjatë viteve të tëra sa i përket zbatimit të kontratave kolektive në arsim, përkatësisht në shëndetësi”, ka thënë Ibrahimi.

Sipas tij, këto para mendohet se kanë qenë të dedikuara për investime në projekte të cilat do të sjellin dobi tek qytetarët.

“Në bazë të vlerësimeve të cilat Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka, del që dëmi i shkaktuar në zbatimin e kontratave kolektive ndaj komunave sillet rreth 35 milionë euro. Shumica e këtyre mjeteve financiare, në të kaluarën kanë qenë të dedikuara për investime kapitale, për projekte të cilat do të shkonin në dobi të qytetarit, në përmirësimin e jetës së qytetarit, por edhe zhvillimin ekonomik lokal”, ka deklaruar Ibrahimi.

Ibrahimi shtoi se komunat nuk janë kundër kontratave kolektive, por po kërkojnë drejtësi dhe që barrën financiare ta marrin institucionet që i kanë nënshkruar ato./Shqip.com