Lajme

Komunat paditin MSH-në dhe MASHTI-n, thonë se u dëmtuan 35 milionë euro

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi

Asociacioni i Komunave të Kosovës të martën do të dorëzojë padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, ka deklaruar Sazan Ibrahimi, Drejtor Ekzekutiv i AKK-së.

Padia ka të bëjë për kontratat kolektive.

“Nesër, zyrtarët komunalë të cilët janë përgjegjës për të ngritur padi në emër të komunave, do të jenë aty në orën 10:30, para gjykatës kompetente, në këtë rast Gjykatës Themelore të Prishtinës. Nesër komunat e Republikës së Kosovës do të mobilizohen dhe do ta deponojnë padinë, secila komunë veç e veç, ndaj ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, për dëmet që ju kanë shkaktuar komunave përgjatë viteve të tëra sa i përket zbatimit të kontratave kolektive në arsim, përkatësisht në shëndetësi”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka sqaruar se në bazë të vlerësimeve del që dëmi i shkaktuar në zbatimin e kontratave kolektive ndaj komunave sillet rreth 35 milionë euro.

Ministria e Arsimit

Sipas tij, këto para mendohet se kanë qenë të dedikuara për investime në projekte të cilat do të sjellnin dobi tek qytetarët.

“Në bazë të vlerësimeve të cilat Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka, del që dëmi i shkaktuar në zbatimin e kontratave kolektive ndaj komunave sillet rreth 35 milionë euro. Shumica e këtyre mjeteve financiare, në të kaluarën kanë qenë të dedikuara për investime kapitale, për projekte të cilat do të shkonin në dobi të qytetarit, në përmirësimin e jetës së qytetarit, por edhe zhvillimin ekonomik lokal”, ka deklaruar Ibrahimi.

Ministria e Shëndetësisë

Ibrahimi shtoi se komunat nuk janë kundër kontratave kolektive, por po kërkojnë drejtësi dhe që barrën financiare ta marrin institucionet që i kanë nënshkruar ato.

“Shumica e këtyre projekteve nuk kanë mundur të zbatohen, për shkak se përmes mjeteve përmbarimore, këto mjete financiare u janë marrë komunave, edhe pse komunat nuk janë nënshkruese të këtyre kontratave kolektive. Komunat, kryetarët e komunave nuk janë kudër kontratave kolektive. Por, gjithnjë kanë qenë kundër marrjes së mjeteve financiare nga komunat, edhe pse komunat nuk kanë qenë nënshkruese të kontratave”, është shprehur ai.

Kontrata Kolektive është marrëveshje ndërmjet organizatave të punëdhënësve dhe organizatave të të punësuarve me të cilën rregullohen të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga marrëdhënia e punës sipas marrëveshjes së arritur./Shqip.com