Lajme

Komuna: Po trajtohet një numër i qenve endacakë rreth Parkut të Gërmisë

Qentë endacakë në Parkun e Gërmisë

Kontrata e nënshkruar javën e kaluar për trajtimin e qenve endacakë në Komunën e Prishtinës, ka filluar të zbatohet që nga fillimi i kësaj jave.

Siç ka njoftuar komuna, është duke u trajtuar një numër i konsiderueshëm i qenve endacakë të koncentruar rreth Parkut të Gërmisë.

Kontrata është firmosur më 18 janar.

“Kontrata siguron vazhdimin e trajtimit të tyre, përfshirë kapjen, sterilizimin vaksinimin dhe lëshimin (metoda KSVL), por edhe kontrollin, ushqimin, identifikimin dhe hospitalizimin e qenve”, thuhet në njoftimin e komunës.

Gjithashtu, bëhet e ditur se është marrë vendimi që nga numri ekzistues prej pesë pikave ushqyese, në afat prej 7 ditëve të rritet numri në njëzetë e tri pika, me mundësi zgjerimi, “gjithherë bazuar në nevojat konkrete”.

Sipas Komunës së Prishtinës, kryetari Përparim Rama, ka thënë se ka filluar koordinimin me gjithë palët e interesuara për të filluar procesin e zgjidhjes përfundimtare.

“Është zhvilluar një strategji e brendshme, e cila do të diskutohet me akterët institucionalë po ashtu edhe me organizatat joqeveritare dhe individët e organizatat profesionale, në mënyrë që strategjia të jetë e pranueshme për të gjithë”.

Po ashtu, bëhet e ditur se janë iniciuar procedurat e hapjes se një Qendre për trajtimin e qenve.

“Kjo qendër do të ofrojë shërbime për trajtimin jo vetëm të qenve endacak, por gjithashtu edhe kujdesin, trajnimin, socializimin e qenve me pronar”.

“Janë zhvilluar takime me nivelin qendror të qeverisjes në mënyrë që aspektet koordinuese me këtë nivel të thellohen, pasi qe ky koordinim dhe bashkëpunim është i domosdoshëm në mënyrë qe strategjia dhe qasja ndaj qenve endacak te rezultoi e suksesshme, në veçanti sa i përket projektit të regjistrimit me vathë e mikroçipa të qenve, por edhe kontrollit te mbarështimit, riprodhimit, si dhe organizimit të fushatave për vetëdijesim”, thuhet nga komuna./SHQIP.com