Lajme

Komuna e Prishtinës zhvillon aksion për largimin e disa konstruksioneve përreth Pallatit të Rinisë

Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Prishtinës sot ka zhvilluar një aksion në Pallatin e Rinisë me qëllim të largimit të disa konstruksioneve të vendosura pa leje në këtë Pallat.

Sipas organeve kompetente këto konstruksione po rezultojnë në ndryshim të pamjes origjinale të këtij objekti.

Këtë aksion të Drejtorisë së Inspekcionit nga afër e ka vëzhguar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, meqë largimi i këtyre konstruksioneve ka qenë kërkesë e tij.

“Kemi një intervenim këtu, çlirimin e hapësirave të cilat kanë qenë të uzurpuara, siç e dini pallati është i mbrojtur me ligj dhe kemi dashur ta mbrojmë nga këto gjëra që kanë ndodhur që nga pas lufta. Do të vazhdojmë me të gjitha këto, që i bënë dëm brendit të kryeqytetit. Po punojmë me përkushtim në ruajtjen e origjinalitetit të objekteve që shpërfaqin memorien kolektive të shumë gjeneratave e që është e domosdoshme të ruhen si trashëgimi kulturore e Kryeqytetit”, tha Rama.

Po ashtu, edhe drejtori i Inspekcionit, Florian Dushi tha se ky aksion ka të bëjë që hapësirat e Pallatit të Rinisë të kthehen siç kanë qenë në projektin fillestar.

“Siç e tha edhe kryetari, ky aksion është bërë që këto hapësira të kthehen në pamjen origjinale dhe projektin e tyre fillestar duke pasur si synim që të ruajmë këtë origjinalitet. Kemi filluar sot me këto hapësira do të vazhdojmë edhe me hapësirat e tjera përreth Pallatit”,

Ndërsa, përfaqësuesi i një lokali tha për media se kjo ndërhyrje e komunës është pa paralajmërim dhe pa sjellë ndonjë vendim.

“Sot pa paralajmërim dhe asnjë vendim të organeve kompetente duke përfshirë komunën dhe Pallatin e Rinisë kanë ardhur dhe kanë ndërhyrë në objekt. Ne kemi kërku vendimin qe disa ditë por nuk na e kanë sjellë asnjë vendim dhe kanë hyrë jashtëligjshëm kinse po thirren në emër të mbrojtjes së trashëgimisë”, tha ai.

Ky afarist thotë se di të ndjekin të gjitha procedurat ligjore në lidhje me këtë çështje.

Kurse, Rama tha se ata i kanë ndjekur të gjitha procedurat ligjore prandaj edhe aksioni nuk ka ndodhur më herët por sot./Shqip.com