Lajme "Shuma e mjeteve të ndara dhe të planifikuara deri më tani për vitin 2022 nga Komuna e Prishtinës është dhjetëfish më e lartë se vitin e kaluar"- Bajram Gecaj, këshilltar për Siguri.

Komuna e Prishtinës ndan afër 800 mijë euro për qentë endacakë por s’din sa i ka në territor

Qentë endacakë
Qentë endacakë

Qentë endacakë vazhdojnë të jenë një ndër problemet e vazhdueshme me të cilin është përballur Prishtina, por edhe qytetet e tjera në Kosovë.

Për të zgjidhur këtë problem, Komuna e Prishtinës ka ndarë 753 mijë euro.

Anipse këto mjete janë ndarë, komuna nuk ka shifra se sa qenë endacakë i enden në territor.

Bajram Gecaj, Këshilltar për Siguri në Komunën e Prishtinës, në një përgjigje me shkrim për Shqip.com ka thënë se “deri më tani askush nuk ka mbledhë informata të sakta mbi numrin e qenve endacakë në Prishtinë e as në Kosovë”.

Megjithatë thotë se mbledhja e informatave në terren, ka nisur nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve (FDK).

“Partneri ynë nga shoqëria civile, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve (FDK), tanimë ka filluar procesin e numërimit në Kryeqytet, i cili do të na mundësojë planifikim më efikas të veprimeve tona, por edhe atyre të nivelit qendrorë të qeverisjes”, u shpreh Gecaj.

Sipas planit të komunës, 249 mijë euro janë ndarë për ndërtimin e Qendrës për Trajnimin e Qenve Endacakë ndërsa 34 mijë euro për vendosjen e mikroçipave.

Mjetet financiare të alokuara për vitin 2022 për qentë endacakë nga Komuna e Prishtinës

Theksojmë se kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, gjatë një deklarimi për Shqip.com ka thënë se komuna si e vetme nuk mund ta zgjidhë problemin e qenve endacakë, porse një gjë e tillë mund të bëhet edhe me ndihmën e nivelit qendror.

Lexo edhe:
Rama nuk jep shpresa që problemi me qentë endacakë të zgjidhet këtë vit

Në anën tjetër, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, në vitin 2021 ishin raportuar 89 raste të sulmeve nga qentë endacakë ndaj qytetarëve në kryeqytet.

Ndërsa statistikat për gjashtë mujorin e parë të vitit 2022, Policia nuk i ka pasur, por vetëm për tre mujorin e parë.

“Vetëm nga 1 janari i vitit 2022 deri në mars janë raportuar 42 raste” të sulmeve nga qentë endacakë.

Çka thotë ligji?

Ligji për veterinarinë parasheh që komunat në pajtim me procedurat e vendosura nga Ministria e Bujqësisë, duhet të regjistrojnë qentë, të bëjnë vaksinimin vjetor kundër tërbimit, të kapin qentë dhe macet e rrugës nëse është e nevojshme, si dhe të themelojnë vende për përkujdesje për qentë dhe macet, sipas nevojës./Shqip.com