Lajme Durmishi thotë për Shqip.com se ankesat më të mëdha janë për linjën Malishevë- Prishtinë. Nga Shoqata e Transportuesve Rrugor thonë se janë duke falimentuar pavarësisht që nuk janë duke respektuar vendimin për uljen e çmimit.

Kompanitë e transportit ndërurban nuk e respektojnë vendimin për uljen e çmimit për kategoritë e caktuara

Stacioni i Autobusëve, Prishtinë.

Çmimi i biletave të transportit ndërurban nuk është ulur ashtu siç u premtua.

Si rrjedhojë, studentët të cilit ishin pjesë e vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës për të mos u prekur nga rritja, tregojnë për Shqip.com se po vazhdojnë të paguajnë me çmimet e reja.

Elona Kabashi që udhëton çdo ditë nga Skenderaj për në Prishtinë tregon se po paguan dy euro.

“Jo nuk janë ulur çmimet. Nga 1.50 sa ka qenë është bërë 1.80,  e tash 2 euro jemi duke paguar. Nuk ka ndonjë dallim që jemi studentë, çmimin e njëjtë e paguajmë”, tregon ajo.

Ajo ankohet se këto çmime për të si studente janë shumë të larta.

“Është shumë shtrenjtë se unë udhëtojë çdo ditë për ligjërata. Edhe obligimet në fakultet si dhe ushqimi është shumë.” shton ajo.

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi tha për Shqip.com se janë duke inspektuar gjithë kohën dhe ankesat më të mëdha kanë qenë për linjën Malishevë-Prishtinë.

“Jemi pothuajse gjithë kohën në terën. Sa e di unë marrëveshja është duke u respektuar. Ankesat më të mëdha i kemi pasur për linjën për në Malishevë, por kemi ndërhyrë menjëherë. Për çdo ankesa të qytetarëve jemi të hapur”.

Kurtishaj: Marrëveshja është duke u respektuar

Por, këtë e mohon kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj, i cili thotë se nuk ka dijeni se nuk është duke u respektuar dhe për këtë do të interesohet.

“Është shumë e pavërtetë këto lajme, pasi marrëveshja është duke u respektuar 100 për qind, studentët janë duke paguar ma lirë. Kjo çdo herë është në vullnetin e kompanive, por këto çdo herë kanë treguar gatishmëri. Sa kamë informacion unë 80 për qind të kompanive e respektojnë këtë vend”.

Tutje, ankohet se me rritjen e çmimit të naftës ky sektor është duke shkuar drejtë falimentimit.

“Nafta 1.69 e çmimi i biletës së udhëtimit me autobus mbetet i njëjtë. Kjo ndodhë vetëm në Kosovë e sektori i transportit rrugor të udhëtimeve me autobusë gjithmonë më i dëmtuari dhe pa përkrahje. Një gjë është e sigurt që kemi hyrë në rrugë pa kthim drejt falimentimit final”, ka shtuar ai.

Vendimi i MMPHI-së ishte në lidhje me mbrojtjen nga rritja e çmimeve të biletave të disa kategorive të veçanta të shoqërisë siç janë: fëmijët, studentët, invalidët e luftës, invalidët e punës dhe pensionistët në përputhje të plotë me ligjin nr.04/L-179 për transportin rrugorë.

Nafta shënon sërish rritje të çmimit

Ndryshe, pas uljes së çmimit për disa ditë, nafta në Kosovë ka përjetuar serish ngritje të çmimit.

Një litër naftë tani kushton nga 1.59 euro deri në 1.69.

Në Kosovë arriti në vlera rekorde prej mbi 1.80 euro.

Kryetari i Shoqatës së Natarëve, Fadil Berjani kanë paralajmëruar se s’do të ketë stabilitet të çmimeve në tregun e karburanteve deri në përfundim të luftës në Ukrainë.

Në lidhje më këtë Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë thënë se paralajmërimet e kësaj ngjarje dhe sinkronizimi lenë hapësirë për dyshim në orkestrim të rritjes së çmimit.

 “Sot në mëngjes ka pasur rritje të çmimit të derivateve të naftës. Paralajmërimet e kësaj ngjarje dhe sinkronizimi lenë hapësirë për dyshim në orkestrim të rritjes së çmimit. Autoritetet po inspektojnë në terren”.

Kjo ministri kanë thënë së autoritetet po inspektojnë në terren./SHQIP.com