Lajme

Komisioni i Reformës Zgjedhore mblidhet online, marrin pjesë edhe deputetët e PD

Për herë të dytë, deputetët e që mbështesin Sali Berishën dhe Gazment Bardhin bllokuan punimet e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Pas tensioneve, mbledhja u zhvendos online.

Mbledhjes iu bashkuan edhe deputetët e Partisë Demokratike si Enkelejd Alibeaj, Kreshnik Çollaku, Eralda Bano, Seladin Jakupllari si dhe përfaqësuesi ligjor, Indrit Sefa.

Anëtarët e Zgjedhores miratuan online kalendarin e punimeve që i hap rrugë tashmë diskutimeve dhe punës për një Kod të ri Zgjedhor.

Bashkëkryetari i komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri tha se mbledhja po zhvillohet online në kushtet kur deputetët e opozitës po kryejnë sjellje vandale. Ai tha se në kushte kur deputetët e Rithemelimit dhe Bardhit bëjnë sjellje të tilla, komisioni është i detyruar të kalojë mbledhjet online.

“Do ishte e pavend t’i vihet faji administratës së Kuvendit ku deputetët hyjnë në sallat ku u takon të jenë dhe vendosin të bëjnë sjellje vandale. Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit kanë parashikuar masa për këta deputetë por nuk parashikohen masa të tjerë kur bëhet çdo veprim për të penguar mbledhjen. Varianti online nuk është i preferuari ynë por në kushte kur jemi të detyruar po e zhvillojmë kështu”- tha Gjiknuri.

Lexo edhe:
S’ka normalitet – opozita bllokon sërish punimet e komisionit të Reformës Zgjedhore

Ndërsa bashkëkryetari i PD në Reformën Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj i bëri thirrje Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla që të mundësojë zhvillimin e komisionit fizikisht. Alibeaj sqaroi se përse po merr pjesë online, duke theksuar se prevalon interesi për të çuar përpara reformën zgjedhore.

“Thirrja ime i adresohet Nikollës, që të garantojë zhvillimin normal, efektiv të veprimtarisë së komisionit dhe jo vetëm. Nga ana ime do jetë kërkesë sistematike dhe insistuese që Nikolla të garantojë zhvillimin efektiv, fizik të veprimtarisë së komisionit. Jemi në këto kushte, dua të them diçka lidhur me pjesëmarrjen tonë. I qëndrojmë gjithmonë qëndrimit sipas rregullores që mbledhjet e komisioneve, do duhet të zhvillohen fizikisht. Ai është parlamenti jo i një grupi, disa deputetëve, jo i PS, por e të gjithë deputetëve që kanë të drejtë të shprehin mendimit, mbi të gjitha është parlamenti i shqiptarëve. Midis kësaj konsiderate dhe tjetrës që unë bie dakord, se ka një interes për ecjen para të Komisionit, prevalon ky i dyti. Prandaj bashkë me kolegët përfaqësues të PD marrim pjesë edhe në zhvillimin e kësaj mbledhje të radhës, të komisionit. Prandaj sot jemi prezent, unë Çollaku, Tase dhe Jakupllari“, tha Alibeaj.

Ai shtoi se përfaqësojnë vetëm idetë dhe sugjerimet e PD, të asnjë grupi tjetër.

Të adresojmë rekomandimet e ODHIR, të përsëritura disa episode elektorale. Veç kësaj edhe tre vendimet e GJK, që e bëjnë të detyrueshme ndërhyrjen për të mbushur vakumin ligjor. Në këto kushte, për aq sa përgjegjësi kemi si përfaqësues të PD, mbaj përgjegjësi dhe përfaqësi që ne përfaqësojmë një pjesë të opozitës, pa marrë përsipër të përfaqësoj se ca janë idetë, interesat, pikëpamjet e partive të tjera, rrymave dhe flukseve të tjera. Kjo mënyrë ndoshta është jo optimale, por mjaftueshmërisht e kënaqshme, sipas Kuvendit çdo parti ka të drejtë të propozojë draftamendamente për Kodin Zgjedhor. Ne kemi detyrimin që për publikun të bëjmë me dije se cilat janë pikëpamjet tona se si duhet të jetë Kodi Zgjedhor”, tha Alibeaj.

/Shqip.com