Sport Shqiptar

Komisioni i Garave nuk e regjistron rezultatin e ndeshjes Feronikeli ’74 – Trepça ‘89

Komisioni i Garave në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), ka regjistruar të gjitha rezultatet e ndeshjeve të 1/8 së finales të Kupës së Kosovës, me përjashtim të asaj ndërmjet Feronikelit ’74 dhe Trepçës ’89.

Në njoftimin e lëshuar të mërkurën në sajtin zyrtar të FFK-së, ka bërë të ditur se rezultati i duelit mes Feronikelit ’74 dhe Trepçës ’89, do të regjistrohet pas kompletimit të lëndës.

“Regjistrohen ndeshjet e 1/8 së finales së Kupës së Kosovës, me rezultatet e arritura në fushë me përjashtim të ndeshjes Feronikeli ’74 -Trepçës’89, e cila do të regjistrohet pas kompletimit të lëndës”, thuhet në vendimin e Komisionit të Garave.

Pas përfundimit të kësaj ndeshjeje, të cilën e fitoi Feronikeli ’74 (1:0), skuadra nga Mitrovica ka bërë ankesë.

Në ankesën e paraqitur, 89-shi ka kërkuar nga Komisioni i Garave që mos ta regjistrojë ndeshjen e luajtur në Drenas, pasi në protokollin zyrtar të prezantuar nga Feronikeli ’74, janë aktivizuar lojtarë që nuk kanë qenë të regjistruar konform rregullores për regjistrimin, statusin dhe transferimin e lojtarëve.

Bazuar në këtë ankesë, 89-shi ka kërkuar fitoren me rezultat zyrtar dhe avancimin në çerekfinale të Kupës së Kosovës.

/Shqip.com