Lajme Ballkan

Komisioni Evropian aprovon certifikatën digjitale të vaksinimit për Shqipërinë

Certifikata digjitale për COVID-19

Komisioni Evropian ka aprovuar këtë të hënë certifikatën digjitale të vaksinimit të Covid-19 për Shqipërinë.

Kjo certifikatë është e barabartë me certifikatën digjitale të Bashkimit Evropian, e lidhur me sistemin e BE dhe e njohur me të njëjtat kushte dhe vlefshmërinë, shkruan Shqip.com.

Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka dakordësuar njohjen e certifikatave digjitale të BE, për udhëtimet nga çdo vend i BE-së drejt Shqipërisë.

Pas vaksinimit të plotë, shtetasit shqiptarë mund të lëvizin lirisht në vendet e BE-së.

Përveç Shqipërisë, certifikatat digjitale të COVID-19 do të ju njihen edhe Serbisë, Armenisë, Azerbajxhanit, Japonisë dhe Brunei Darussalam.

Fatin e njëjtë, nuk e ka edhe Kosova.

Megjithëse ky shtet i njeh cerifikatat digjitale COVID -19 të shteteve të miratuara nga Komisioni Evropian, Kosova ende nuk është pjesë e sistemit digjital të këtyre cerifikatave.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi kishte folur edhe rreth pasaportës digjitale të Coronavirusit me të cilën ende nuk janë pajisur qytetarët e Kosovës.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Latifi, para komisionit kishte deklaruar se janë duke punuar në këtë drejtim, mirëpo, ende nuk ka informata se kur do të finalizohet kjo çështje.

“Pasaporta e vaksinës është gati e njëjtë, më pak problematike me zgjedh. Ne e kemi një përfaqësues të Bankës Botërore që po punon. Teknikisht inxhinierët po e zgjedhin këtë çështje. Se kur do të bëhet, sa më shpejtë por s’mund të ju tregoj se kur bëhet. Kam biseduar me personelin që janë duke e kry këtë punë, kanë thënë që bëhet për dy javë. Jam shumë i interesuar që kjo të kryhet. Edhe kryeministri dhe presidentja janë shumë të interesuar që kjo të kryhet sa më shpejtë”, ka deklaruar ministri Latifi.

Certifikata digjitale COVID-19 është brenda Bashkimit Evropian që nga 1 korriku 2021. Kjo certifikatë u mundëson qytetarëve të BE-së të lëvizin lirshëm në 27 shtetet e bllokut evropian, nëse janë të vaksinuar me vaksinat e autorizuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA)./Shqip.com