Sport Shqiptar

KOK-u shpreson në një tjetër medalje: Egzoni mundës i shkëlqyer

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi

Komiteti Olimpik i Kosovës po shpreson edhe në një tjetër medalje në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, shkruan Shqip.com.

Pas dy medaljeve të arta në xhudo, shpresat janë edhe tek mundësi, Egzon Shala që garon në orët e para të mëngjesit të së enjtes në kohën tonë lokale.

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, ishte i pranishëm në Festivalin Olimpik, ku tha se Shala është një garues shumë i mirë dhe me pak fat mund të rrëmbejë edhe ai një medalje.

“Qëllimi ynë kryesor është që të motivojmë fëmijët të merren me sport, sepse po shihen edhe rezultatet e Kosovës në Lojërat Olimpike në Tokio, ku erdhëm me dy medalje të arta, dhe më 5 gusht presim që të kemi ndoshta edhe një medalje tjetër, meqenëse kemi edhe një garues të fundit, Egzon Shalën i cili do të merr pjesë në mundje. Egzoni është një garues shumë i mirë dhe besoj që me një fat të vogël atje do të marr një medalje”, tha Krasniqi për Kosovapress.

Festivali Olimpik ka vazhduar edhe sot me aktivitetet sportive në sheshin “Skënderbeu”, aktivitete këto që po mbahen për nder të Lojërave Olimpike “Tokyo 2020”.

Që prej kthimit nga Japonia, ku ishte i pranishëm në Lojërat Olimpike të Tokyos, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi ishte për herë të parë prezent në Festivalin Olimpik, derisa ai ka theksuar se Kosova është ndër shtetet e pakta në botë që organizon një festival të tillë.

“Nuk është e lehtë të organizohet Festivali Olimpik, sepse në të gjithë botën vetëm 10 shtete e kanë marrë guximin që ta organizojnë, sepse është obligim shumë i madh, dhe një organizim shumë i mirë”, shtoi Krasniqi.

Komiteti Olimpik i Kosovës ka qenë ndër protagonistët kryesorë për organizimin e Festivalit Olimpik, i cili po mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për nder të Lojërave Olimpike “Tokyo 2020”./Shqip.com