Lajme Ballkan

Knezheviq: 85 % e banorëve të Malit të Zi janë kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE

Milan Knezheviq
Milan Knezheviq

Lideri i partisë serbe që njihet me qasje pro-serbe e pro-ruse në Mal të Zi ka deklaruar se 85 % e qytetarëve të këtij shteti janë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Përfaqësuesja e Malit të Zi që ka votuar kundër Kosovës javën e kaluar vjen nga partia e tij.

Milan Knezheviq që është udhëheqës i “Partisë Popullore Demokratike” në Mal të Zi, duke komentuar faktin se anëtarja e “DNP”-së dhe kryetarja e delegacionit malazez në Këshillin e Evropës, Maja Vukiçeviq votoi kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ka deklaruar se ky është qëndrimi i 85 për qind të qytetarëve të Malit të Zi dhe se “askush nuk do ta riedukojë këtë parti”.

“Kush e përcaktoi se votimi për Këshillin e Evropës është një detyrim ndërkombëtar i Malit të Zi? A është e shkruar kjo në Kushtetutë? A duam të organizojmë një referendum? Nuk më intereson çfarë thonë Jevto Erakoviq dhe Danijel Zhivkoviq. Vukiçeviqi nuk përfaqësoi Qeverinë e Malit të Zi apo të Kosovës, por DNP-në dhe qëndrimin tonë e dinë të gjithë. Unë jam krenar për të dhe jam krenar për qëndrimin e saj”, ka thënë ai shkruajnë mediat në Serbi.

Ai ka komentuar edhe deklaratat e fundit të ish-kryeministrit Dritan Abazoviq i cili mes tjerash ka thënë se po të ishte ai në pushtet kjo nuk do të ndodhte me Kosovën. Madje ky lider serb nga Mali i Zi ka ironizuar duke thënë si ai (Abazoviq) ka marrëdhënie të mira me Beogradin e “tani është i mirëseardhur të jetë një kosovar më i madh se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”.

Ai gjithashtu në emision tha se nuk po e tradhtonte Malin e Zi, duke u takuar me liderët e Republikës ‘Srpska’ dhe Serbisë, Milorad Dodik dhe Aleksandar Vuçiq.

Ndryshe javën e kaluar Telegrafi ka publikuar një analizë ku tregon se si është votuar në Komitetin për Politikë dhe Demokraci ku u miratua në Asamblenë Parlamentare raporti i raportueses greke Dora Bakoyannis për Kosovën.

/Shqip.com