KMY mbante filetot e pulës në ambiente me myk dhe ndryshk, AKU: 738 kg mish i bllokuar do të asgjësohet
738 kilogramë mish pule u bllokuan nga inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) 2 ditë më parë, pas konstatimit të kushteve të papërshtatshme të ruajtjes në ambientet e “KMY”.
Gjatë kontrolleve të kryera në subjektin “KMY”, inspektorët kanë gjetur sasi filetoje dhe gjoksi pule të ruajtura në ambiente të amortizuara, ku janë evidentuar prani myku dhe ndryshku në strukturat përreth. Sipas AKU-së, këto kushte përbëjnë rrezik për sigurinë ushqimore dhe janë në kundërshtim me standardet e kërkuara për ruajtjen dhe tregtimin e produkteve ushqimore.
Si rezultat i inspektimit, autoritetet kanë vendosur bllokimin e menjëhershëm të sasisë prej 738 kilogramësh mish pule.
AKU bën me dije se produkti i bllokuar nuk do të rikthehet në treg për konsumatorët, por do të dërgohet për asgjësim sipas procedurave përkatëse. Ndërkohë, ndaj subjektit janë marrë masa administrative dhe pritet vijimi i procedurave ligjore në lidhje me shkeljet e konstatuara.
Autoritetet u bëjnë thirrje operatorëve të biznesit ushqimor të respektojnë standardet e sigurisë ushqimore, ndërsa theksojnë se kontrollet në treg do të vijojnë me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.
/Shqip.com