Lajme

KMDLNJ: Po shpeshtohet marrja në pyetje e shtetasve të Kosovës nga autoritetet serbe

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka bërë të ditur se po shpeshtohet marrja në pyetje e shtetasve të Kosovës nga serbët në pikën kufitare “Dheu i bardhë”.

KMDLNJ-ja përmes një komunikate ka thënë se bazuar në rastet të cilat u janë drejtuar atyre, marrja në pyetje e personave është e qëllimshme dhe po bëhet me synimin që  të bëhet një presion ndaj tyre që të mos udhëtojnë në Serbi duke ua shkëputur kontaktet familjare.

Njëri nga personat e ndaluar për marrje në pyetje është edhe ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Sipas deklaratës së Kastratit të dhënë për KMDLNJ-në, ai ishte ndaluar nga autobusi me të cilin udhëtonte me datën 13 gusht në pikën kufitar “Dheu i bardhë” nga dy policë serb.

Ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Tutje sipas komunikatës së KMDLNJ-së Kastrati ishte pyetur kryesisht për aktivitetin e tij politik.

“Në deklaratën e Qendron Kastratit thuhet se ai është pyetur kryesisht për aktivitetin e tij politik, njohurit me dhe për figurat politike të Gjilanit dhe Kamenicës, nëse personalisht e njeh Fatmir Limajn, arsyet pse ishte larguar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nëse mendon që përsëri të kandidojë për kryetar të Kamenicës.”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit të KMDLNJ, autoritete serbe kanë ndaluar edhe persona të tjerë me synimin për të nxjerrë informacione për institucionet e Kosovës si; Policin, FSK dhe AKI.

“Sipas pohimeve të  intervistuarve, policia serbe apo hetuesit kanë kërkuar informata për institucione të sigurisë së Kosovës si për Policinë e Kosovës, FSK –në dhe AKI –në. Për këtë arsye janë ndaluar dhe intervistuar persona që, sipas autoriteteve serbe kanë njohuri për këto institucione dhe personalitete politike dhe publike.”, shkruhet në komunikatën e tyre.

Lexo edhe:
Qëndron Kastrati merret në pyetje nga autoritetet serbe

KMDLNJ-ja ka ftuar autoritet e Kosovës që të trajtojnë me seriozitet rastet e tilla në mënyrë që në të ardhmen mos të përsëriten.

Madje, sipas tyre kjo përbën shkelje të marrëveshjes për mospengimin e lirisë së lëvizjes në mes Kosovës dhe Serbisë. Pasi që kjo po sfidohet nga autoritetet serbe përmes ndalimit, intervistimit dhe gjobave të paarsyeshme të bashkatdhetarëve që Serbinë e shfrytëzojnë si hyrje – dalje për ardhje në Kosovë./SHQIP.com