Lajme

Qëndron Kastrati merret në pyetje nga autoritetet serbe

Nënkryetar i PSD-së, Qëndron Kastrati

Të shtunën e 13 gushtit, derisa po udhëtonte nga Prishtina drejt Vjenës, ish-kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati është marrë në pyetje nga autoritetet serbe në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”.

Sipas deklaratës së tij, dy policë të uniformuar serbë e kanë shoqëruar te zyrat e tyre për t’u intervistuar nga një person i tretë.

Sipas, KMDLNj -së, Kastrati pas një kohe është intervistuar nga dy persona të pauniformuar në gjuhën angleze për faktin se komunikimi në gjuhën serbe nuk ka mundur të bëhet sepse ai nuk e flet këtë gjuhë.

Sipas deklaratës së tij, ai është pyetur kryesisht për aktivitetin e tij politik dhe për figurat politike të Gjilanit dhe Kamenices, “nëse personalisht e njeh Fatmir Limajn, arsyet pse ishte larguar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nëse mendon që përsëri të kandidojë për kryetar të Kamenicës”.

Sipas, KMDLNj – së, “ndalimi dhe intervistimi i qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe po përdoret edhe për tensionim të situatës në kohën kur kjo situatë është e brishtë dhe me mundësi të përshkallëzimit”./Shqip.com