Lajme

Klinaku flet për bastisjen në familjen e heronjve Fazliu

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka folur lidhur me bastisjen nga ana e Dhomave të Specializuara të Kosovës në familjen e dëshmorëve të kombit Bahri e Fahri Fazliu.

Ai ka thënë se Prokuroria Speciale në mungesë të fakteve po bëjnë “filma dhe spektakle”.

“Në mungesë të fakteve po bëjnë filma dhe spektakle qysh kanë bërë vazhdimisht” , ka thënë ai.

Tutje, Klinaku ka thënë se të gjitha faktet që i kanë, i kanë prej pushtuesit[Serbisë] dhe se nuk kanë asgjë konkrete.

“Bëjnë spektakle se nuk kanë fakte, dhe të gjitha ato fakte që i kanë që po dalin dita-ditës nga ana e përgjimeve, i kanë prej pushtuesit serb dhe bashkëpunëtorëve të tyre”, ka thënë Klinaku.

Klinaku ka thënë se ZPS nuk ka asgjë konkrete dhe se “aq poshtërsisht vijnë në familjet e heronjve dhe bëjnë bastisje, pastaj kur dalin i lënë fotografitë e heronjve nëpër tokë, sikur në kohën e pushtuesit serb”.

Ai ka thënë tutje se e keqja më e madhe është se as partitë politike e as Qeveria nuk bëjnë kurrfarë reagimi.

“Sa i përket Gjykatës Speciale, këta nuk guxojnë as të flasin për të, ndërsa sa i përket gjykatave tona, këtu në vend dhe prokurorisë i sulmojnë vazhdimisht edhe kur ndajnë drejtësi”.

Ndërsa, Klinaku ka folur edhe për audio-incizimin, i cili doli së fundmi ku shefi i BIA-së serbe për Kosovës fliste me një person për provë, dokumente apo fakte të dorëzuara kundër liderëve të UÇK-së duke thënë se një gjë e tillë ka qenë e ditur për OVL-UÇK-në.

“Të gjitha këto kanë qenë të ditura për ne, sepse ne i kemi pasur materialet e tyre që kanë dalë si skandale nga ana e Dhomave të Specializuara, pra ju kanë dalë materialet dhe në të gjitha në ato letra kanë qenë këto publikime apo audio-incizime”, tha ai, raporton Dukagjini.

“Këta vazhdimisht kanë komunikuar me prokurorin serb për krime lufte, Vladimir Vukçeviq, d.m.th. prokurorët e Gjykatës Speciale. Po ashtu, në ato materiale ka pasur akuza të Serbisë pushtuese dhe bashkëpunëtorëve të tyre që i kanë përdorur qoftë më herët në UNMIK, EULEX, Tribunal të Hagës për krime lufte në Jugosllavi… e të njëjtat i përdor edhe Gjykata Speciale”.

Ai ka thënë se [ZPS] ka bashkëpunëtorë dhe se ata kanë qenë edhe bashkëpunëtorë të Serbisë sepse “të gjitha materialet janë të Serbisë”.

“Ne kemi thënë edhe atëherë kur shokët tanë i kanë marrë në burg, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Ne kemi thënë vazhdimisht edhe nëpër konferenca për gazetarë, se pushtuesi serb intervistimet e dëshmitarëve i ka marrë gjatë luftës e pas luftës… disa janë dëshmitarë të shantazhuar e disa të manipuluar nga zyra e Prokurorit me seli në Hagë e në Beograd”, ka përfunduar ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku.

/Shqip.com