Lajme

Protesta në Shqipëri, paralajmërohet grevë nga mësuesit

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, 1 Maj, Sindikata e Pavarur e Arsimit dhe Federata e Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës zhvilluan një protestë ku kërkojnë që arsimi në vend të kthehet në një prioritet kombëtar.

Mësuesit janë mbledhur në Sheshin Skënderbej nga ku do të marshojnë në mënyrë paqësore drejt Ministrisë së Arsimit. Kërkesat e tyre janë paga më të larta, kushte më dinjitoze pune për mësuesit në të gjithë vendin si dhe infrastrukturë moderne për arsimin në vend.

Nevrus Kaptelli, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Arsimit tha se qeveria duhet të mbajë premtimin që 5 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto duhet t’i dedikohet buxhetit për një arsim cilësor.

“Ky 1 maj na gjeti sërish në të njëjtin vend si një vit më parë me pothuajse me të njëjta kërkesa si vitet e kaluara. Përmirësimi i kushteve të punës së mësuesve ende nuk janë realizuar për një punë dinjitoze të tyre. Nuk mund të ketë arsim cilësor pa mësues të mirë paguar. Kryeminsitri të mbaj premtimin që buxheti për arsimin të jetë 5 % e prodhimit të brendshëm bruto. Pa vlerësuar arsimin si një prioritet kombëtar nuk mund të ketë infrastrukturë bashkëkohore arsimore, paga dinjitoze dhe kushte më të mira pune. Pa mësues të përgatitur dhe arsim të mirë, nuk mund të ketë një të ardhme të ndritur nesër”, tha Kaptelli

Edhe kryetari i Federatës së arsimit, Isa Reka theksoi se arsimi duhet të kthehet në një prioritet kombëtar dhe se teknologjitë e fundit duhet të përfshihen në mësimdhënie për të rritur standardet.

“Sot ndodhemi këtu për zgjidhjen e problemeve që janë shumë të rëndësishme, nuk kemi paga dinjitoze për mësuesit, duhet të këtë mjete mësimore cilësore, nuk kemi mjete për përdorimin e teknologjisë në mësimdhënie, nuk kemi ambiente të përshtatshme pune në të gjithë vendin për mësuesit dhe këto janë të nevojshme për një arsim cilësor. Jemi pikërisht këtu sot për t’i treguar qeverisë dhe publikut që arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar dhe ka nevojë për më shumë mbështetje”, tha Reka.

Mësuesit kanë paralajmëruar grevë urie dhe afati që i është dhënë qeverisë është muaji shtator.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë kanë zgjedhur që protestën më 1 Maj, Ditën e punëtorëve, ta fokusojnë në shpopullimin e vendit dhe largimin e të rinjve. Me një protestë paqësore minatorë zgjodhën pikërisht rrugën e Rinasit si një simbol të kauzës së tyre duke e konsideruar si “portën nga ku largohen të rinjtë”.

“Protestojmë që fëmijët tanë të mos largohen dhe të ikin jashtë. Kërkojmë sigurimin e vendit të punës së të rinjve dhe të mos largohen. Duam që fëmijët të punësohen në shkollat që mbarojnë dhe jo të përfundojnë kamerierë”, tha një protestuese, e cila kërkon që në Shqipëri të krijohen kushte e duhura që të rinjtë të mos largohen jashtë vendit.

Protestuesit kanë zgjedhur një protestë simbolike, ku nuk kanë krijuar bllokim të rrugës së Rinasit, duke qëndruar me pankarta në duar anës rrugës.

/Shqip.com