Lajme

Kica reagon pas zgjedhjes së Gërvallës, thotë se u rikap RTK-ja

Rilind Gërvalla, mbështetës, aktivist dhe njëri i afërt i zyrtarëve të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, është bërë drejtor i RTK-së (kanaleve televizive në shqip). Për këtë ka reaguar edhe deputetja Doarsa Kica-Xhelili, e cila kishte kryesuar Komisionin Parlamentar që zgjodhi bordin e ri të transmetuesit publik.

Deputetja e LDK-së e konsideron zgjedhjen e Gërvallës drejtor, si “rikapje të RTK-së”.

Gërvallën e votoi sot bordi i RTK-së dhe Kica shkroi se ky bord dështoi në misionin për pavarësimin e RTK-së nga politika.

“Fatkeqësisht, sot Bordi i RTK-së zyrtarisht dështoi në këtë mision, duke e përzgjedhur si drejtor të televizionit donatorin e partisë në pushtet. Reagime për këtë përzgjedhje ka pasur edhe nga akterë ndërkombëtarë (Federata Evropiane e Gazetarëve)”, ka shkruar mes tjerash ajo.

Lexo edhe:
Ish-anëtari i LVV-së bëhet drejtor i RTK-së

Reagimi i plotë:

Rikapja e RTK-së

Me procesin e përzgjedhjes së Bordit të ri të RTK-së jam marrë shumë, sikurse jam marrë me shkarkimin e Bordit të kaluar.

Ishte ndër proceset më konsumuese por më transparente asokohe. Proces tejet i vështirë, por me shpresën e vetme që ky Bord do ta bënte pikërisht atë që u munduam ta bëjmë ne gjatë përzgjedhjes: RTK-në ta mbanim të pavarur dhe të paanshme politikisht.

Nuk ishte aspak lehtë por ishte gati mision idealist për pavarësimin e RTK-së.

Dhe e bëmë – për aq sa zgjati.

Fatkeqësisht, sot Bordi i RTK-së zyrtarisht dështoi në këtë mision, duke e përzgjedhur si drejtor të televizionit donatorin e partisë në pushtet. Reagime për këtë përzgjedhje ka pasur edhe nga akterë ndërkombëtarë (Federata Evropiane e Gazetarëve).

Më vjen shumë keq, që në atë pak fije shprese që kemi pasur në pak institucione që nuk po gjymtohen nga nepotizmi dhe politizimi, tani u ripërfshi edhe RTK-ja.

/Shqip.com