Sport Ndërkombëtar

Kevin Durant kërkon largimin nga Nets

Kevin Durant

Një kthesë tjetër drastike për Brooklyn pas kërkesës së Irving për ‘player option’.

Kjo pasi që Kevin Durant ka kërkuar një transfer jashtë “Barclays Center”.

Transferimi i tij pritet të jetë tejet interesant dhe ka të ngjarë t’i japë fund shpresave të Nets për titullin kampion në vitin 2023, sipas ‘The Athletic’.

Sinqerisht, nuk dihet se ku mund të përfundojë Durant këtë verë pasi i bëri me dije Brooklyn-it se dëshiron të largohet.

Por, nuk do të ketë mungesë të ekipeve që do të duan të nënshkruajnë ‘Hall of Famer’-in e ardhshëm.

Sipas Chris Haynes nga ‘Yahoo Sports‘, Phoenix Suns është vend i përshtatshëm për aderim.

Kjo mund të ketë kuptim për të dyja palët, me Deandre Ayton që me gjasë do të përfshihet në një ‘pako’nëse Suns tërheq këmbëzën për superyllin e Nets.

Duke pasur parasysh rrethanat, duket e pamundur që Brooklyn ta riparojë marrëdhënien jo të mirë me 33-vjeçarin.

Duhet theksuar se KD kishte mbi supe barrën më të madhe për klubin njujorkez, marrë parasysh mungesën e Kyrie Irving dhe ‘dramën’ që ai bënte lidhur me vaksinimin kundër Covid-19.

James Harden, Kyrie Irving dhe Kevin Durant, Brooklyn Nets

Po ashtu, Irving nuk është e vetmja arsye, sepse edhe James Harden shprehte pakënaqësitë e tij në media lidhur me ekipin, gjë që çoi në transferimin e tij në Philadelphia 76ers.

Megjithatë, kushdo që përfundon duke blerë Kevin Durant, do të konsiderohej automatikisht pretendent për titull. /Shqip.com