Lajme

Këto janë pesë pikat e rezolutës për vëllezërit Bytyqi

14 korrik, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan miratoi rezolutën për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, në vitin 1999-të në Serbi. Lajmi u publikua në faqen e internetit të Kongresit Amerikan.

Kjo rezolutë përmban pesë pika.

Në pikën e parë të kësaj rezolutë thuhet se personat përgjegjës për vrasjet në korrik 1999 të shtetasve të Shteteve të Bashkuara Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi në Serbi duhet të sillen para drejtësisë.

Lexo edhe:
Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan miraton rezolutën për vrasjen e vëllezërve Bytyqi

Në pikën e dytë të rezolutës shkruhet se është e papranueshme që asnjë individ nuk është shpallur ndonjëherë fajtor për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, apo për ndonjë krim tjetër që lidhet me vrasjen e tyre, dhe se asnjë individ nuk përballet aktualisht me akuza mbi këto krime.

Sipas pikës së tretë të rezolutës thuhet se qeveria e Serbisë, ministritë dhe shërbimet e saj përkatëse, duke përfshirë Prokurorinë e Krimeve të Luftës të Serbisë, duhet t’i japin përparësi hetimit dhe ndjekjes penale sa më shpejt të jetë e mundur të zyrtarëve aktualë ose të mëparshëm që besohet se janë përgjegjës për vrasjen e tyre.

Në pikën e parafundit, thuhet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të sigurojnë burime të mjaftueshme për të ndihmuar plotësisht dhe monitoruar siç duhet përpjekjet e qeverisë së Serbisë, ministrive dhe zyrave të saj përkatëse për të hetuar dhe ndjekur penalisht sa më shpejt të jetë e mundur ata persona që besohet se janë përgjegjës për vdekjen e tyre, drejtpërdrejt ose tërthorazi.”, thuhet në pikën e katërt të rezolutës.

Ndërsa në pikën e pestë dhe të fundit shkruhet se SHBA-ja thekson se progresi në zbardhjen e këtij rasti apo mos-zbardhja e tij duhet të jetë një faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Serbisë.

Rezoluta u propozua nga kongresmeni republikan nga shteti i Nju Jorkut, Lee Zeldin dhe 423 kongresmenë votuan pro rezolutës, një ishte kundër, ndërsa gjashtë prej tyre nuk votuan.

Vëllezërit Agron, Mehmet dhe Yll Bytyqi, me prejardhje nga Kosova, janë arrestuar në vitin 1999 në Serbi, për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët e atëhershëm serbë, kalimit të paligjshëm të kufirit./Shqip.com

Rezoluta