Lajme

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan miraton rezolutën për vrasjen e vëllezërve Bytyqi

Më 14 korrik, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan miratoi rezolutën për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, në vitin 1999-të në Serbi. Lajmi u publikua në faqen e internetit të Kongresit Amerikan.

Në rezolutën e propozuar nga Komisioni për Punët e Jashtme më 29 korrik të vitit të kaluar, në qëndrimin e Kongresit thuhet se “duhet të sillen para drejtësisë personat përgjegjës për vrasjet e shtetasve amerikanë në Serbi, Agron, Yll dhe Mehmet Bytyqi në korrik 1999”, dhe se SHBA-ja duhet të “sigurojë resurse të mjaftueshme për të ndihmuar dhe monitoruar plotësisht përpjekjet e Serbisë për të hetuar dhe ndjekur penalisht individë të tillë”.

Rezoluta u propozua nga kongresmeni republikan nga shteti i Nju Jorkut, Lee Zeldin dhe 423 kongresmenë votuan pro rezolutës, një ishte kundër, ndërsa gjashtë prej tyre nuk votuan, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ned Price, zëdhënës i sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, ka deklaruar se shteti amerikan do të bëjë presion për zbardhjen e rastit të vrasjes së vëllezërve Bytyqi.

Përmes një postimi në rrjetin social në Twitter, Price ka thënë se ata nuk do të harrojnë dhe do të vazhdojmë të bëjmë presion për zgjidhjen e këtij rasti.

“Kanë kaluar 23 vite pa drejtësi për tre shtetas amerikanë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, të ekzekutuar në paraburgimin e policisë speciale serbe. Ne nuk do të harrojmë dhe do të vazhdojmë të bëjmë presion për zgjidhjen e këtij rasti”, ka shkruar Price.

Po ashtu edhe Ambasada e Shteteve të Bashkura të Amerikës në Beograd ka reaguar lidhur më këtë çështje.

“Sot bëhen 23 vjet që kur tre shtetas amerikanë, vëllezërit Bytyqi, u ekzekutuan në paraburgimin e policisë speciale serbe. Ne nuk do ta harrojmë këtë krim dhe i bëjmë thirrje Serbisë edhe një herë që të mbajë përgjegjësi nga ata që kanë kryer dhe kanë mbuluar këto vrasje”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Në mesin e mijëra personave të vrarë gjatë luftës në Kosovë janë edhe vëllezërit Bytyqi, tre shqiptarë nga Prizreni me shtetësi amerikane të cilët u vranë në korrik të vitit 1999 në Serbi./Shqip.com