Lajme

Këshilltarja thotë se Osmani po sulmohet nga disa gra në politikë

Këshilltarët politik janë të irrituar me shpeshtimin e sulmeve ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani e cila është komentuar negativisht për fizikun e saj.

 Këshilltarja politike e presidentes, Donjeta Miftari deklaron se fuqia e saj nuk mund të reduktohet nga komentet negative ngase ajo ka dhënë shembuj se respekton interesin e qytetarëve, shpenzon në mënyrë efikase dhe transparente si dhe ofron argumente për lajmet e rrejshme dhe manipuluese.  

Ajo nuk ka saktësuar se kush ka përdorur këtë gjuhë seksiste ndaj presidentes, Vjosa Osmani.

“Është për keqardhje qasja seksiste në shoqërinë tonë dhe fakti që e njëjta amplifikohet tutje nga disa gra në politikë. Për fund, nëse dikush ka pikëpamje për qëndrimet politike të Presidentes, jemi me fat që jetojmë në një demokraci të hapur ku këto mendime mund të shprehen publikisht. Por përpjekja për të reduktuar fuqinë e Presidentes në pamjen e saj është trishtuese dhe indikator i infantilitetit në politikën ditore në vend”, ka thënë ajo.

Ndryshe gjuhë denigruese  ndaj presidentes, Vjosa Osmani kishte përdorur ish-bashkëpartiaku i saj, Agim Veliu duke e quajtur atë të gjerë dhe të trashë. /Shqip.com