Këshilltari i Osmanit reagon pas vendimit të Kushtetueses që hodhi poshtë kërkesën e presidentes
Këshilltari i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Artan Murati, ka reaguar pas deklaratave se presidentja po u shërben interesave të caktuara partiake përmes kërkesës së parashtruar ndaj Gjykatës Kushtetuese për ndarjen e vendeve në KQZ bazuar në grupet më të mëdha parlamentare, njofton Shqip.com.
Me anë të një postimi në Facebook, Murati ka komentuar edhe vendimin e Kushtueses për refuzimin e kërkesës së Osmanit për përzgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së.
“Praktika e Gjykatës Kushtetuese për mos-trajtim të çështjeve Kushtetuese të ngritura nga ana e kreut të shtetit, të përcaktuar sipas nenit 84(9) të Kushtetutës, nuk po e merr parasysh interesin publik për çështjet të cilat ngriten për interpretim para Gjykatës”, ka shkruar ai.
“Ajo çfarë të paktën sqarohet nga ky Aktvendim, është se Gjykata trajton vetëm kërkesat për kompetenca të cilat burojnë nga Kushtetuta e jo edhe ato të bazuara në ligj. Pra që emërimet e shkarkimet e parapara vetëm në ligj, e jo në kushtetutë, nuk janë çështje që trajtohen nga gjykata. Në pritje të publikimit të Aktvendimit të plotë, për ta analizuar në tërësi.”, shton Murati.
“Ndërkaq, deklaratat se kinse kjo kërkesë e Presidentes drejtuar gjykatës për interpretim të kompetencave qenka shërbim ndaj partive të caktuara, janë absurditete të pabazuara të cilave nuk ka njeri racional në Kosovë që ju beson. Për më tepër, kjo po tregon degradimin e skajshëm të gjuhës krejt pa argument, edhe pse Presidentja ka vepruar me ndërgjegje të lartë institucionale kur i është adresuar Gjykatës para se të ndërmarrë veprime”. /Shqip.com