Lajme

Këshilltari i Osmanit: Raporti i DASH-it nuk e ka quajtur shkarkimin e Dakës si politikisht të motivuar

Vjosa Osmani dhe Valdete Daka

Artan Murati, këshilltar i presidentes Vjosa Osmani ka reaguar pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën ku flitet për shkarkimin e ish kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka.

Murati thotë se në raportin e DASH-it nuk është bërë asnjë vlerësim i procesit të shkarkimit të Dakës.

“Raporti i DASH-it nuk e ka quajtur vendimin e Presidentes së Republikës për ndërprerjen e mandatit të kryesueses së KQZ-së si politikisht të motivuar, por nënvizon qëndrimet e palëve sa i përket këtyre ngjarjeve, përfshirë opozitën dhe organizatat e shoqërisë civile. DASH-i nuk ka bërë asnjë vlerësim të procesit”, shkruan Murati në “Facebook”.

Presidentja Vjosa Osmani e ka shkarkuar Valdete Dakën nga pozita e kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve më 14 qershor 2022, me arsyetimin që “…sidomos gjatë zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, ka cenuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së”.

Shkarkimin e Dakës e patën kundërshtuar 11 organizata të shoqërisë civile, duke e cilësuar si vendim të motivuar politikisht, “si rezultat i ndërrimit të pushtetit në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit”.

Ndërsa, vetë Daka i pati dërguar kërkesë Avokatit të Popullit për ta shqyrtuar shkarkimin e saj, me besimin që ky institucion çështjen do ta dërgonte në Kushtetuese, por një gjë e tillë nuk pati ndodhur pasi ankesa ishte anuluar.

Ndryshe, edhe Misioni i Bashkimit Evropian pati publikuar një raport mbi procesin zgjedhor të 17 tetorit, ku thuhej se ekziston një dispozitë ligjore e paqartë lidhur me vendimin e presidentes Osmani, për shkarkimin e Dakës./Shqip.com