Lajme

Këshilltari i ministres së Arsimit padit për shpifje avokatin Driton Muharremi

Gjykata Themelore në Prishtinë
Gjykata Themelore në Prishtinë

Shqip.com kohë më parë kishte publikuar përgjime ku ishte përfshirë ish-gjyqtari dhe anëtari i këshillit gjyqësor, Driton Muharremi. Ai ishte i përfshirë drejtpërdrejt në sistemin prokurorial të Kosovës.

Madje, në një bisedë telefonike që kishte siguruar Shqip.com, Muharremi e kishte aprovuar se jo vetëm që ka ushtruar ndikimin e tij, por edhe kishte luajtur rolin e ndërmjetësuesit në disa raste.

Ndryshe, dy ditë me herët (më 14 gusht), Driton Muharemi, avokat, ka thënë se e ka paditur ”për shpifje” Valdrin Dervishaj, këshilltar i ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.

Muharremi ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për ta intervistuar Dervishajn rreth deklarimeve të tij se “ai ka njohuri rreth një hetimi që prokuroria është duke hetuar rreth dy zyrtarëve të MAShT-it”.

”Sot kam ushtruar Padi për shpifje kundër këshilltarit të ministres se MASHT-it z. Valdrin Dervishaj, si dhe kam kërkuar nga  Prokuroria e Krimeve të Rënda ne Prokurorinë Themelore në Prishtinë që ta intervistoj të njëjtin lidhur me deklarimet e tij publike se ai ka njohuri rreth një hetimi që Prokuroria është duke hetuar rreth dy zyrtareve te MASHT dhe se ky e din epilogun e këtij hetimi“.

”Mjetet lidhur me dëmin publik që më ka bërë me këtë shpifje do ti dhuroj në Fondacionin për të drejtat e kafshëve“, ka shkruar ai në Facebook.

Lexo edhe:
Ekskluzive: “Çka ki te Lumezi fol me mu” – Shkeljet dhe fuqia e Driton Muharremit në sistemin prokurorial të Kosovës

E, sot, këshilltari i ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, Valdrin Dervishaj, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se ka paraqitur padi për fyerje dhe shpifje ndaj avokatit Driton Muharremi. Ndërsa, ka paralajmëruar edhe kallëzim penal për “kallëzim të rrejshëm”.

“Kam dorëzuar padi për shpifje ndaj “shpifësve” që ditët e fundit kanë shpifur për mua dhe kolegun tim F.O., me të vetmin qëllim dëmtimin e reputacionit dhe presionit publik”, ka shkruar ai.

Tutje, sipas tij ai fytyrën e avokatit nuk e parë, por e ka dëgjuar zërin e tij në një medium, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“BTW: Fytyrën e D.M. nuk e kam parë kurrë, por zërin e tij e kam dëgjuar në audio-incizimet e publikuara nga media Shqip.com me titullin “Dosja: “Inteligenca e Zhvatjes” – Pjesa 4 Ekskluzive: “Çfarë ka me Lumezin, fol me mua” – Shkeljet dhe pushteti i Driton Muharremit në sistemin prokurorial të Kosovës”, ka shkruar tutje Dervishaj, duke paralajmëruar edhe kallëzim penal për veprën penale të “kallëzim të rrejshëm”.

Në lidhje me këtë padi për shpifje, avokati Driton Muharremi, ka thënë se nuk është i informuar, por shton se nuk merret me të dhe se janë institucionet e drejtësisë të cilat do ta vërtetojnë nëse ai ka bërë kallëzim penal të rrejshëm apo jo.

“Nuk merrem me të, e drejtë e tij. Unë kam ushtruar kallëzim penal profesional për keqpërdorime të detyrës zyrtare, organet do ta vlerësojnë nëse është i rremë apo jo”, ka thënë Muharremi për “Betimi për Drejtësi“.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi“, të shtunën ka raportuar se Shtëpia Botuese “Luarasi”, ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ndaj ministres së Arsimit Arbërie Nagavci, sekretares së Përgjithshme në këtë ministri, Fadile Dyla, si dhe këshilltarit të ministres, Valdrin Dervishaj, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe falsifikim të dokumenteve.

/Shqip.com