Lajme

Këshilli i Prindërve pas takimit me presidenten: Do të bojkotojmë zëvendësimin e orëve të humbura nga greva

Kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi

Kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi, ka thënë se do të bojkotojnë orët e humbura të mësimit pas përfundimit të grevës.

Ai këtë deklaratë e ka dhënë pas takimit që kishte me presidenten, Vjosa Osmani, ku tha se bllokimi i sistemit arsimor është i papranueshëm.

“Nuk është roli jonë që të gjejmë një zgjidhje mes palëve. Kemi shprehur shqetësimin e prindërve se bllokimi i plotë i sistemit arsimor është i papranueshëm dhe e shkel rëndë të drejtën e fëmijëve për shkollim. Deri tani e kemi dhënë atë deklarim dhe do t’i qëndrojmë prapa”.

Lexo edhe:
Osmani pret në takim Këshillin e Prindërve dhe atë të Nxënësve

Ndërsa, Osmani pas takimit deklaroi se mbështetë kërkesat e nxënësve dhe të prindërve.

Ajo tha se “nxënësit duhet të jenë në qendër të interesimit tonë për ta tejkaluar krizën në arsim”.

Po ashtu gjatë ditës, Osmani ka zhvilluar takim edhe me krerët e sindikatave.

Ndërsa në një konferencë për media gjatë paradites, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se është e papranueshme të bëhet thirrje për rritje të pagave kur shumica e fëmijëve dalin analfabetë.

Kurti është shprehur se dialogu Qeveri-Sindikata nuk ka munguar por që ky dialog duhet të ndodhë me Kryetarin e Bashkimit të Sindikatave dhe jo me krerët e degëve sindikale./Shqip.com