Lajme

Këshilli i Prindërve të Kosovës: Të fillojë mësimi të hënën ose do të protestojmë

Kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka thënë se asgjë nuk mund ta parandalojë revoltën e tyre në rast se mësimi nuk fillon me 3 tetor.

Për Shqip.com kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi tha se janë menduar të gjitha opsionet përfshirë edhe protestat.

“Jemi duke shqyrtuar të gjitha opsionet: Protesta, prezenca në shkolla apo edhe forma tjera të shprehjes së revoltës. Por nuk do të vazhdojmë të tolerojmë me mos hapjen e shkollave”, tha Demi.

Sot gjatë ditës, në faqen zyrtare të këshillit të Prindërve të Kosovës është njoftuar se asnjë arsyetim i mosfillimit të mësimit me 3 tetor nuk i ndalon prindërit të shfaqin rezolutën e  tyre.

“E hëna, më 3 tetor, duhet të jetë dita e fillimit të mësimit në të gjitha shkollat e Kosovës! Asnjë arsyetim më nuk i ndalon prindërit të shfaqin revoltën në çdo formë”, thuhet në njoftimin e KPK-së.

Tutje, në këtë postim thuhet se greva është tepruar.

SBASHK-u pyet anëtarësinë: A jeni gati që më 3 tetor të nis mësimi? – SHQIP.com

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka thënë se në ditët e sotme mësimdhënësit janë nëpërkëmbur, dinjiteti u është cenuar, e ata historikisht janë të njohur për sakrificën e tyre përgjatë viteve.

Por, pavarësish kësaj sindikata përmes një njoftimi për media ka kërkuar mendimi e anëtarësisë që greva të ndërpritet dhe mësimi të filloj qysh me 3 tetor.

“Këshilli grevist i SBASHK-ut bazuar në kontratën kolektive dhe sipas ligjit për grevën, e duke e analizuar ecurinë e grevës deri më tash, kërkon mendimin e anëtarësisë greviste që nga çerdhet e deri në universitete lidhur me idenë për pezullimin e grevës më së largu deri në janar 2023 dhe që grevistët t’i rikthehen mësimit që nga data 3 tetor 2022”.

Tutje në këtë letër thuhet se Qeveria nuk e ka prioritet zhvillimin e arsimit përmes angazhimit cilësor dhe të dinjitetshëm të mësimdhënësve.

Ndryshe, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) të enjten e 25 gushtit shpalli grevën e përgjithshme për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli në fillim të grevës pati deklaruar se ajo do të zgjasë derisa të përmbushen kërkesat e tyre./Shqip.com