Lajme

Kërkohet paraburgim ndaj zëvendësdrejtorit që dyshohet se ngacmoi nxënësen në Malishevë

Ilustrim

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë kërkesë për paraburgim ndaj zëvendësdrejtorit të gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një nxënëse të kësaj shkolle.

Prokuroria kë kërkuar që të dyshuarit t’i aplikohet masa e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.

Prokuroria Themelore në Gjakovë

“Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit A.K, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Sulm seksual”.

Sipas kërkesës, rasti ka ndodhur më 16 dhjetor 2021, në gjimnazin “Hamdi Berisha”, në Malishevë, ndërsa Prokurori i Shtetit ndaj të pandehurit ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe i njëjti me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 20 dhjetor 2021”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndryshe, rastin në polici e ka denoncuar të hënën e 20 dhjetorit babai i viktimës.

Sipas tij, ngjarja ka ndodhur në ambientet e shkollës.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Ngjarja sipas ankuesit kishte ndodhur në njërën prej tualeteve të kësaj shkolle kur viktima ishte brenda dhe aty kishte hyrë edhe i dyshuari dhe e kishte ngacmuar seksualisht viktimën”, ka thënë Nysret Xhurkaj, zëdhënës i PK-së për rajonin e Gjakovës.

Lidhur me ketë rast është intervistuar viktima, i dyshuari si dhe disa dëshmitarë.

“Hetimet janë në fazën e grumbullimit të provave të tjera dhe për zhvillime të mëtejme ju njoftojmë me raport shtesë”./SHQIP.com