Kërkohet paraburgim ndaj tre personave të dyshuar për falsifikim të parave

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre personave, pasi të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë”.
Sipas njoftimit nga kjo prokurori, të dyshuarit me inicialet L.Q., H.L. dhe H.Sh., dyshohen se më 20 tetor 2021, në Malishevë, në një këmbimore, duke qenë në dijeni se paratë janë të falsifikuara, të njëjtat i kanë vënë në qarkullim në shumën totale prej 1900 dollarë, shkruan Shqip.com.
I dëmtuari R.B., kishte dyshuar në falsifikimin e parave, duke e lajmëruar rastin në polici.

“Raporti i ekspertimit, i datës 05 nëntor 2021, ka rezultuar që paratë të jenë falsifikim i plotë, dhe pas veprimeve operative nga ana e policisë, është arritur të bëhet identifikimi i të dyshuarve”, thuhet në njoftim.
Të pandehurit, me urdhër të prokurorit gjenden në ndalim nga data 10 nëntor./Shqip.com