Lajme

Kërkohet paraburgim ndaj dy personave që u kapën me drogë në Vërmicë

Personat që u kapën me drogë në Vërmicë

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve E.T., dhe E.T., shtetas të Shqipërisë, pasi që dyshohet se kanë kryer veprën penale ”Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, përcjell Shqip.com.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, në mbrëmjen e së martës, në pikë kalimin kufitar në Vërmicë në një automjet që vinte nga Shqipëria, janë gjetur nëntë paketime me substancë narkotike të llojit kokainë, me sasi prej tetë kilogramësh e 800.74 gram.

“Në këtë rast, në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar përkohësisht: Një automjet Peugeot 207 ngjyrë hiri dhe një (1) çelës i veturës; Nëntë paketime, brenda me substancë të dyshuar për narkotikë të llojit Kokainë me peshë gjithsej 8 kg e 800.74 gr; Një telefon Samsung; Një telefon Iphone 6S; Para të gatshme 1475 euro dhe 200 Lekë”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Kurse, të pandehurit, me vendim të prokurorit të shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh./Shqip.com