Lajme

Kërkohet interpelancë me Edi Ramën lidhur me rastin e ish-agjentit të FBI-së

Kuvendi i Shqipërisë

Ditën e sotme pritet që të mbahet një debat në Kuvendin e Shqipërisë ku çështja kryesore do të jetë dosja e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal.

Duke e ditur se opozita ka ngritur akuzat ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, kreu i Grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka kërkuar një interpelancë urgjente me kreun e qeverisë.

E njëjta kërkesë është bërë nga mbështetësit e Berishës por këta të fundit kanë kërkuar nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla që debati me mocion të mos jetë me limit kohor, raporton Abcnews.al

Mbetet për t’u parë nëse Kuvendi do ta fusë në rend dite këtë kërkesë apo të vijohet vetëm me interpelancën urgjente.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse kreu i qeverisë do të marrë pjesë apo do t’ia delegojë ndonjërit prej anëtarëve të kabinetit. Sakaq, theksojmë se Kuvendi përjashtoi për 10 ditë nga seancat Berishën, vendim që u mor pas përplasjeve të forta dhe bllokimit të Foltores javën e kaluar.

Opozita ka hedhur akuza ndaj kreut të qeverisë dhe takimet me ish zyrtarin e FBI-së i ka përdorur si “arsenal” armësh duke e akuzuar se ka lobuar përmes McGonigal kundër saj.

/Shqip.com